Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është e vetmja mënyrë për të arritur “stabilitet afatgjatë dhe të pakthyeshëm si dhe për të ulur tensionet në veri të Kosovës”.
KFOR tha se mirëpret përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të kthyer Kosovën dhe Serbinë në dialogun për normalizimin e raporteve.
“Ftojmë të gjitha palët që të bashkohen për shtensionimin e situatës dhe të përmbahen nga veprimet provokuese që janë kundër interesit të të gjithë njerëzve në Kosovë”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
Ky mision tha se po vazhdon kontaktet dhe koordinimin me të gjithë bashkëbiseduesit lokalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), me misionin e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me Ministrinë serbe të Mbrojtjes.
“KFOR vazhdon të jetë vigjilent dhe krejtësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij që derivon nga rezoluta 1244 e OKB-së për të ofruar mjedis dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha KFOR.
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë të dialogut. Por, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se këto takime nuk sollën rezultate.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.