Ndërlidhjet

Cvijanoviq: Sanksionet amerikane nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve


Zhelka Cvijanoviq gjatë një fjalimi në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnje e Hercegovinën, 10 maj 2023.
Zhelka Cvijanoviq gjatë një fjalimi në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnje e Hercegovinën, 10 maj 2023.

Anëtarja serbe e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, thotë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj saj dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, janë më shumë “një trik për t’i kënaqur boshnjakët sesa për t’i ndëshkuar të sanksionuarit”.

“Posaçërisht duke qenë se ato nuk i kontribuojnë zgjidhjes së asnjë problemi, janë thjesht një tregues se nuk ka strategji reale, e as vullnet për ta kthyer stabilitetin politik dhe rregullin kushtetues në vend”, tha Cvijanoviq më 1 gusht për Srna, agjencinë e lajmeve të Republikës Sërpska.

Më 31 korrik, Shtetet e Bashkuara e futën Zhelka Cvijanoviqin, e cila është anëtare e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, në listën e personave të sanksionuar, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.

Ajo theksoi se është “idiotësi ta pranosh se është normale që disa të huaj të pazgjedhur bëjnë ligje për ju, në vend se këtë ta bëjnë institucionet lokale, apo që të kërcënohesh me ndjekje të vazhdueshme penale për shkak të qëndrimeve politike”.

“Kjo nuk ka të bëjë asgjë me Marrëveshjen e Dejtonit, e as nuk ka kuptim në aspektin se kush e respekton atë e kush jo”, shtoi ajo.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq, si dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.

Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e së ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tij për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpall të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Vetë Dodiku më herë është person i përfshirë në listën e sanksioneve amerikane. Më 5 janar të vitit 2022, SHBA-ja e akuzoi atë se drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë kishte shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari e kishte akuzuar Dodikun se po e pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Çfarë ndikime kanë këto sanksione?

Thesari tha se të gjitha pronat e personave të sanksionuar që janë në SHBA apo janë nën kontrollin e shtetasve amerikanë, duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja.

Gjithashtu, çdo subjekt që është në pronësi, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga personat e sanksionuar, po ashtu do të bllokohet. Sanksionet parashohin edhe bllokimin e transaksioneve nga shtetasit amerikanë me të sanksionuarit, përveç nëse marrin licencë nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja.

Ndalesat, gjithashtu, përfshijnë edhe kontributet apo ofrimin e fondeve, mallrave apo shërbimeve për të sanksionuarit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG