Për herë të parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kërkon armëpushim në Gazë.
Shtetet e Bashkuara, aleate të Izraelit, që më herët kishin vendosur veto ndaj rezolutave të prezantuara, abstenuan gjatë votimit të 25 marsit.
Rezoluta, që kërkon kërkon“armëpushim të menjëhershëm” gjatë Muajit të Ramazanit që do të çonte në një armëpushim “të qëndrueshëm”, u miratua pasi të gjithë 14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit votuan pro saj.
Një ndryshim qëndrimi ndaj aleatit në Lindjen e Mesme u pa të premten, kur SHBA-ja prezantoi një rezolutë që kërkonte një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm”. Megjithatë, rezoluta u bllokua nga Rusia dhe Kina, së bashku me shtetet arabe që kritikuan tekstin e rezolutës, pasi argumentuan se aty në mënyrë eksplicite nuk iu kërkua Izraelit që të ndalë fushatën e tij ushtarake në Gazë.
Në rezolutën e re, të miratuar të hënën, kërkohet “një armëpushim i menjëhershëm” gjatë Muajit të Ramazanit që do të çonte “në një armëpushim të qëndrueshëm dhe të përhershëm”.
Rezoluta po ashtu kërkon “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve” si dhe heqjen “e pengesave që do të mundësonte dërgimin e ndihmës humanitare”.
Rezoluta është hartuar nga anëtarët jo të përhershëm të Këshillit, të cilët kanë negociuar gjatë fundjavës me SHBA-në për të shmangur vendosjen e vetos, thanë burimet diplomatike, që u shprehën optimiste se rezoluta do të kalojë.
SHBA-ja vazhdimisht ka bllokuar rezolutat për armëpushim, përderisa ka vazhduar të mbështetësë Izraelin, por ka shprehur frustrim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të numrit të madh të viktimave në Rripin e Gazës.
Por, rezoluta e re, tashmë e miratuar, nuk është e lidhur me bisedimet që po vazhdojnë, që udhëhiqen nga Katari dhe mbështeten nga SHBA-ja dhe Egjipti. Këto bisedime synojnë ndaljen e luftimeve në këmbim që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – që të lirojë pengjet.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.
Para kësaj rezolute, Këshilli i Sigurimit kishte miratuar dy nga tetë rezolutat e paraqitura për luftën Izrael-Hamas. Rezolutat e miratuara kryesisht kishin të bënin me dërgimin e ndihmës humanitare.