Ndërlidhjet

Këshilli Gjyqësor "stimulon" padrejtësitë në Maqedoninë e Veriut


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut duhet të pushojë së vepruari deri në transformimin e tij të plotë, zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por edhe ndryshimin e mënyrës së funksionimit. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar përplasjet, dorëheqjet dhe shkarkimet që kanë përfshirë këtë organ gjyqësor.

Shoqata joqeveritare për reforma në gjyqësor “Blueprint” dhe profesori në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, Bashkim Selmani, thonë se mënyra e vetme për të rivendosur besimin dhe për të ruajtur integritetin e Këshillit Gjyqësor, janë reformat e thella në këtë organ.

Ky organ që ka për detyrë zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe mbikqyrjen e punës së tyre, numëron 13 anëtarë, por dy prej tyre kanë dhënë dorëheqje, ndërsa më 5 maj është shkarkuar edhe kryetarja Vesna Dameva.

“Që kur jam anëtare e Këshillit Gjyqësor, ka pasur momente kur kemi hasur në mosmarrëveshje me qëndrime të caktuara të Këshillit. Ka pasur raste kur këshilli ka vepruar në mënyrë joligjore dhe jotransparente si në përzgjedhjen e gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe në vlerësimin e punës së tyre kur janë konstatuar lëshime apo keqpërdorime nga ana e tyre. Veç kësaj, kemi edhe marrëdhënie ndërnjerëzore jo të mira që janë pengesë për funksionimin normal të Këshillit”, ka deklaruar gjyqtarja e dorëhequr, Mirjana Radevska-Stefkova.

Kritika për punën e Këshillit Gjyqësor ka pasur jo vetëm nga sektori civil e opozita, por edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Ambasadorja amerikane, Angela Aggeler, në disa raste ka akuzuar gjyqësorin për punë joefikase dhe vjetërsimin e qëllimshëm të lëndëve gjyqësor që u kanë mundësuar figurave të njohura publike të shpëtojnë nga ndjekja penale.

Kritika serioze ndaj sistemit të drejtësisë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, bëri edhe ambasadori holandez në Shkup, Dirk Jan Kopp, ku njoftoi pezullimin e një projekti të financuar nga Holanda për forcimin e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së gjyqësorit.

Ekspertët juridikë thonë se reformat në Këshill janë të domosdoshme për të ardhur në shprehje zgjedhja e profesionistëve në këtë organ gjyqësor.

“Anëtarët e rinj të Këshillit që do të zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve duhet të jenë gjyqtarë me integritet dhe me cilësi të larta morale dhe etike. Në mënyrë të veçantë theksojmë nevojën që kandidatët për anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, të vijnë nga radhët e juristëve të dalluar dhe për të cilët nuk ka bazë dyshimi për lidhje politike apo personale me bartës aktualë apo të mëparshëm të funksioneve publike dhe politike”, thuhet në reagimin e grupit “Blueprint” për reforma në gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor e ka humbur legjitimitetin, andaj duhet vepruar me urgjencë në krijimin e një trupi të ri që do të merrej me punën e gjyqësorit, konsideron Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.

“Meqë nga aty fillon edhe përgjegjësia e sistemit gjyqësor, mirë është që të mendohet për ndonjë ide të re siç e kanë bërë edhe shtetet perëndimore, të ketë një organ akademik, të krijohet një trung, i cili do të merret me veprimtarinë e gjyqtarëve dhe gjithë sistemit gjyqësor. Kjo do të ishte mënyra më e mirë, më efektive dhe më e suksesshme për arsye se nëpër të gjitha institucionet kemi nepotizëm, farefisni, miqësi dhe situata në gjyqësor bëhet edhe më e rëndë kur i shtojmë edhe ndikimet politike”, thotë Selmani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, me rëndësi është që në këtë trup të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë me një mandat të caktuar, të cilët do të kishin rolin kyç në kontrollin e punës së organeve gjyqësore.

Profesori Selmani thotë se përveç Këshillit Gjyqësor problem tjetër është edhe Akademia për përgatitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila po ashtu, sipas tij, është e ndikuar nga politika në përzgjedhjen e kuadrit për prokurorë dhe gjyqtarë.

“Akademia e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka anashkaluar shumë kuadro të suksesshëm të jurisprudencës, të cilët i kanë plotësuar kushtet, por kurrë nuk iu dha mundësia të ushtrojnë profesionin e tyre pasi u diskriminuan. Unë në vitin 2000 kam dhënë provimin për gjyqtar, por asnjëherë nuk m’u dha mundësia që ta ushtroj këtë profesion”, thekson Selmani.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtar, në veçanti të SHBA-së.

Në fillim të dhjetorit, një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte qëndruar në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG