Ndërlidhjet

Kërkohen modalitete për KSHZ-në e dorëhequr


Konferencë për media e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, fotografi nga arkivi
Konferencë për media e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, fotografi nga arkivi

Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë ende nuk kanë një zgjidhje konkrete mbi funksionimin e ardhshëm të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pas dorëheqjes së tetë nga nëntë anëtarët e këtij institucioni lidhur me akuzat për jotransparencë gjatë ndarjes së pagave shtesë për veten e tyre.

Dorëheqjet duhet të konstatohen nga Kuvendi, i cili edhe ka bërë emërimin e tyre, por kjo dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj do të jetë e vështirë, pasi për këtë nevojiten dy të tretat e votave, pra mbështetjen edhe të opozitës, e cila për momentin bojkoton punimet e Kuvendit.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se çështja do të zgjidhet përmes dialogut me partitë politike.

“Ne do të hapim debatin për këtë çështje dhe besoj se përmes dialogut ka mundësi që të gjendet zgjidhje. Veç kësaj, me KSHZ-në ne duhet të mblidhemi edhe për çështjen e mandateve të deputetëve të VMRO-së, të cilët po hetohen për dhunën në Kuvend”, ka deklaruar Zaev.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se partitë nuk e përjashtojnë as mundësinë e përgatitjes së një zgjidhjeje të re, sipas së cilës, mandati i anëtarëve të KSHZ-së do të zgjasë për një periudhë të caktuar, të nisë tre muaj para zgjedhjeve dhe të zgjasë deri në përfundimin e tyre, apo shpalljen e rezultateve. Gjatë periudhës kur nuk ka zgjedhje, të funksionojë vetëm një zyrë administrative me punonjës të cilët do të kujdeseshin për punët teknike.

Por, njohësit e çështjeve juridike, thonë se zgjidhja e tillë do të ishte e palogjikshme, pasi institucioni i KSHZ-së ekziston në çdo shtet dhe si i tillë është garantues i së drejtës më elementare të qytetarëve, realizimin e të drejtës së votës.

“Një zgjidhje e tillë e mundshme sipas mendimit tim do të ishte absurde, pasi zgjedhjet janë shtylla e demokracisë, krejt legjitimiteti i pushtetit demokratik në fund të fundit rezulton dhe buron nga KSHZ-ja. Andaj, patjetër duhet të ekzistojë KSHZ-ja, një institucion stabil dhe i përhershëm, meqë zgjedhjet nuk organizohen vetëm për tre muaj, por këtu kemi edhe strategjinë, planet, programet paraqiten gjatë gjithë kohës”, thotë profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm që mund të bëhet është largimi i dispozitave ligjore që lenë hapësirë për interpretime të ndryshme, siç është ndarja e mjeteve shtesë nga pagat. Ai thotë se përbërja apo forma e tanishme e KSHZ-së ka rezultuar e suksesshme dhe balancuese mes pushtetit dhe opozitës.

“Këtë e them duke u nisur nga fakti se këtë komision e përbëjnë tre anëtarë që janë ekspertë të pavarur, tre janë nga pushteti dhe tre nga opozita. Anëtarët në cilësinë e ekspertëve kanë garantuar në një mënyrë balancimin mes pozitës dhe opozitës dhe me këtë u zbeh ndikimi politik i pushtetit mbi KSHZ-në”, thotë Maksuti.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme të anëtarëve të KSHZ-së pasuan denoncimin e bërë nga ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily se ata në një mbledhje të mbyllur, pra jotransparente, kishin vendosur të ndajnë për veten e tyre nga së paku nëntë paga në vlerë prej mbi një mijë euro secila prej tyre, për siç thanë më vonë, angazhimin jashtë orarit të punës. Akti i tyre ka nxitur reagime të shumta në opinionin e gjerë, i cili edhe nisi kërkesat për përgjegjësisë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG