Ndërlidhjet

Rusia: Kërkesat amerikane - kërcënim për shtetasit rusë


Konsullata ruse në San Francisko
Konsullata ruse në San Francisko

Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara synojnë të bëjnë kontroll në Konsullatën e saj në San Francisko dhe në disa rezidenca diplomatike dhe ka shprehur shqetësim se kërkesat amerikane paraqesin “kërcënim direkt”për shtetasit e saj.

Zëdhënësja e Ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në deklaratën e publikuar të premten mbrëma , tha se agjenci të paemëruara të Shteteve të Bashkuara planifikojnë që gjatë ditës së sotme të bëjnë kërkim, pas shpalljes së kësaj jave nga ana e Departamentit amerikan të shtetit, me të cilën është urdhëruar mbyllja e konsullatës dhe e dy anekseve tregtare në Nju Jork dhe Uashington.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka bërë komente të menjëhershme lidhur me çështjen se nëse është planifikuar ndonjë kërkim ose a është kërkuar kjo gjë nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Por, në emailin dërguar Radios Evropa e Lirë, ky zyrtar tha se Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar mbylljen e kapaciteteve dhe kjo nënkupton se Rusia më nuk mund t’i përdorë ato për qëllime “diplomatike, konsullore ose të banimit”.

“Kapacitetet do të mbyllen dhe hyrja ose qasja në këto kapacitete do të bëhet vetëm me lejen e Departamentit amerikan të shtetit, i cili do t’i siguroj dhe mbajë kapacitetet në përgjegjësinë tonë”, ka thënë ky zyrtar në kushte të anonimitetit.

Konsullata ruse në San Francisko
Konsullata ruse në San Francisko

Para dy ditësh, komente të ngjashme para gazetarëve ka bërë edhe në zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili ka sugjeruar se agjencitë e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara do të kenë qasje potenciale në ndërtesë, nëse shihet e nevojshme.

Thirrjet dhe emailat për Departamentin e drejtësisë të Shteteve të Bashkuara nuk kanë pasur përgjigje të menjëhershme.

Një person, që është përgjigjur në linjën telefonike emergjente të Ambasadës së Rusisë, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë se çka po ndodh, tha shkurt: “jo, jo, kurrgjë nuk po ndodh, mos u frikësoni”.

Pak kohë pas publikimit të deklaratës së Ministrisë së jashtme të Rusisë, në tymtarin e Konsullatës ruse në San Francisko është vërejtur tym i zi, dhe kjo ka shkaktuar aktivizim të zjarrfikësve amerikanë.

Një zëdhënëse e Departamentit amerikan të shtetit më vonë i tha agjencisë Associated Press se në konsullatë kishte zjarr në vendin e paraparë dhe se po digjeshin artikuj të paidentifikuar.

Mbrëmë vonë, Associated Press ka raportuar se punëtorët në konsullatën në San Francisko kishin filluar t’i transportonin kutitë nga ndërtesa, në mënyrë që me kohë ta evakuonin konsullatën.

Deklarata e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ku ajo ankohej se lëvizja amerikane paraqet shkelje të protokollit diplomatik dhe imunitetit, ishte jehonë e komenteve të mëhershme të ndihmësit të Kremlinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, i cili tha se urdhri i Shteteve të Bashkuara është veprim armiqësor.

“Kërkesat e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara krijojnë kërcënim direkt për sigurinë e shtetasve rusë”, tha Ushakov.

Në shpalljen e urdhrit për mbyllje, Departamenti amerikan i shtetit tha se ai është bërë “në frymë të paritetit të iniciuar nga rusët”, që është referencë e urdhrit të Moskës, që personeli diplomatik amerikan në Rusi të reduktohet në mënyrë drastike.

Më 28 korrik Rusia urdhëroi që personeli amerikan në Rusi të zvogëlohet dhe të mbeten vetëm 455 njerëz deri më 1 shtator. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pat thënë se numri duhet të ulet për 755 vetë.

Zyrtarët thanë se kërkesa e Mokës ishte përgjigje ndaj legjislacionit amerikan me të cilin ashpërsoheshin sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, për disa çështje, përfshirë edhe dyshimet për përzierjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka fajësuar Uashingtonin për shkëmbim të hapave diplomatikë ndëshkues, por i është shmangur që në mënyrë specifike ta fajësojë presidentin, Donald Trump, ose administratën e tij.

“Presidenti Trump vazhdon ta thotë të njejtën gjë dhe presidenti Putin ka shprehur interes disa herë, por kjo duhet të jetë rrugë dydrejtimëshe e bazuar në respekt reciprok”, tha Lavrov.

Pas mbylljes së kapacitetit në San Francisko, Rusia do të mbetet me Ambasadën në Uashington dhe me tri konsullate: në Sietël, Hjuston dhe Qytetin e Nju Jorkut.

Shtetet e Bashkuara në Rusi e kanë Ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Petersburg, në Jekaterinburg dhe Vlladivostok.

Deria Moska ka urdhëruar shkurtime të gjëra në personelin diplomatik amerikan, Rusia nuk do të ketë nevojë ta reduktoj personelin e vet në Ambasadën në Shtetet e Bashkuara, përkundër mbylljes së konsullatës dhe anekseve. Më tutje, Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë ta dëbojnë ndonjë anëtar të personelit, që është zhvendosur nga këto mbyllje, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, pati shpallur përzënien e 35 diplomatëve rusë dhe mbylljen e dy komplekseve diplomatike ruse në Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të asaj që zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara thanë se ishte fushatë e sulmeve kibernetike dhe propagandë për shkatërrimin e sistemit zgjedhor amerikan dhe për dobësimin e rivales së zotit Trump, kandidates demokrate Hillary Clinton.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG