Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Iranin, i cili tha se së shpejti do të tejkalojë nivelin e lejuar të pasurimit të uraniumit, se kërcënimet e tilla mund të kthehen dhe “ta kafshojnë vetë atë.
"Ki kujdes me kërcënimet, Iran", shkroi Trump në Twitter. "Ato mund të kthehen dhe t'ju kafshojnë, si askush më parë", shtoi ai.
Trump i bëri komentet pak orë pasi presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të rrisë pasurimin e uraniumit pas 7 korrikut, përtej limitit 3.67%, të përcaktuar me marrëveshjen bërthamore.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga kjo marrëveshje vitin e kaluar dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Iranit.
Në muajin maj, Rohani u ka dhënë palëve të mbetura në marrëveshje 60 ditë kohë për të mbrojtur ekonominë e Iranit nga sanksionet e SHBA-së. Ky afat bie më 7 korrik.
Këtë javë, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore konfirmoi se rezervat e Iranit me uranium të pasuruar i kanë tejkaluar limitet që i përcakton marrëveshja bërthamore.
Njoftimi i tillë bëri që presidenti Trump ta paralajmërojë Iranin se “po luan me zjarr”.
Palët evropiane në marrëveshje - Gjermania, Britania dhe Franca - i kërkuan Teheranit që "të përmbahen nga hapat e mëtejmë që dëmtojnë marrëveshjen bërthamore".
"Kemi qenë të qartë se angazhimi ynë ndaj marrëveshjes bërthamore varet nga respektimi i plotë i saj nga ana e Iranit", thanë përmes një deklarate të përbashkët ministrat e Jashtëm dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së.
EXPOSÉ: Drejt diplomacisë apo luftës?
Të mërkurën, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Francës tha se Irani “nuk do të fitojë asgjë" duke lënë marrëveshjen dhe shtoi se vënia e saj në pikëpyetje “do të rrisë tutje tensionet në rajon".
Kina dhe Rusia janë dy bashkënënshkrueset e tjera të marrëveshjes.
Zyrtarët iranianë janë ankuar se palët e mbetura në marrëveshje nuk kanë arritur të zbusin efektet e sanksioneve të SHBA-së mbi industrinë e naftës dhe bankat e Iranit.
Vendet evropiane kanë paralajmëruar se çdo shkelje e marrëveshjes do të sjellë pasoja, por nuk kanë saktësuar se çfarë pasojash.
Rohani tha se nëse vendet e tjera nënshkruese nuk e mbrojnë tregtinë me Iranin, të premtuar me marrëveshjen e vitit 2015, Irani po ashtu do të nisë të ringjallë reaktorin për ujëra të rëndë në Arak, i cili është çmontuar me marrëveshjen bërthamore.
Trump, në maj të vitit 2018, është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe ka nisur rikthimin e sanksioneve kundër Iranit, të cilat janë hequr pasi Irani ka nisur të kufizojë programin e tij bërthamor.
Trump ka thënë se kushtet e marrëveshjes nuk kanë qenë të mjaftueshme për të parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe se Irani vazhdon të mbështesë dhunën ekstremiste në rajon. Të gjitha këto akuza hidhen poshtë nga Republika Islamike.
Rohani mbajti hapur derën e bisedimeve, duke thënë se ai përsëri do t’i zvogëlojë rezervat me uranium të pasuruar, nëse pesë vendet e përfshira në marrëveshje i respektojnë zotimet e tyre.
Përgatiti: Valona Tela