Ndërlidhjet

MPB: Ka kërcënime ndaj qytetarëve që pajisen me targa të përkohshme


Pika kufitare në vendkalimin në Merdare. Qytetarëve që hyjnë nga Serbia u kërkohet të heqin targat e veturave të tyre.
Pika kufitare në vendkalimin në Merdare. Qytetarëve që hyjnë nga Serbia u kërkohet të heqin targat e veturave të tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë tha se është informuar që qytetarët të cilët janë pajisur me targa të përkohshme, po kërcënohen nga persona, që sipas këtij institucioni, janë ende të paidentifikuar.

“Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas vendimit të MPB-së më datë 20 shtator 2021”, thuhet në njoftim.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në veri të Kosovës kanë raportuar se gjatë natës së mbrëmshme në të paktën një veturë me tabela të përkohshme të Kosovës janë vendosur mbishkrime me përmbajtje kërcënuese.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, këto kërcënime ndikojnë në krijimin e një klime, ku qytetarët ndihen të frikësuar që të jetojnë dhe veprojnë në vendin e tyre.

“Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, tha MPB-ja, duke shtuar se tashmë këto raste po hetohen nga Policia e Kosovës që do të ndërmarrë masa sipas ligjit.

Presidentja e KE-së e shqetësuar për situatën në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Që prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, banorët lokalë serbë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Delegacioni i Kosovës në dialog, i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, që udhëhiqet nga Petar Petkoviq, gjenden në Bruksel për të biseduar për situatën në veri.

Palët janë takuar me të dërguarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar si dhe me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën në veri përmes dialogut.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.

Pavarësisht protestave të serbëve në veri, sipas MPB-së, prej 20 shtatorit, autoritetet e Kosovës kanë lëshuar 11,500 targa të përkohshme.

Kosova ka vendosur njësitë speciale të policisë në afërsi të dy pikave kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë.

Ndërkaq Serbia ka rritur nivelin e gatishmërisë ushtarake në kufi me Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG