Ndërlidhjet

Keqardhja për certifikatë të rreme dhe pendimi për mosvaksinim


Certifikatë e vaksinimit kundër koronavirusit, që lëshohet nga vendet e Bashkimit Evropian.
Certifikatë e vaksinimit kundër koronavirusit, që lëshohet nga vendet e Bashkimit Evropian.

Derisa po vdiste nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, në një qendër të kujdesit intensiv në qendër të Rumanisë, një burrë i ri u ka thënë mjekëve se certifikata e tij e vaksinës kundër këtij virusi, ka qenë e rreme.

Ai nuk ka qenë personi i parë që e ka pranuar para mjekëve në Spitalin e Emergjencave Sibiu se ka pasur certifikatë të rreme, mirëpo ai ka qenë më i riu.

Fatkeqësisht, ka qenë shumë vonë dhe ai ka vdekur.

“Ne kemi pacientë që janë të shtruar në spital dhe na i kërkojnë vaksinat”, ka thënë shefja e kujdesit intensiv Ioana Codru për Angerpres më 5 tetor.

“Ne u themi se kur të kalojnë në kujdesin intensiv, nuk ka masa parandaluese që mund të merren”.

Si Rumania, ashtu edhe shteti fqinj, Bullgaria janë duke u përballur me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus dhe trajtimi është duke u sfiduar nga pacientët e sëmurë, të cilët kanë certifikata false të vaksinimit kundër COVID-19.

Lehtë për t’u siguruar, por vështirë për t’u gjurmuar, këto dokumente janë simptome të korrupsionit endemik në dy vendet më të varfra të Bashkimit Evropian dhe shenjë për përhapje të mosbesimit ndaj vaksinave për këtë virus.

Duke folur më 6 tetor, presidenti rumun, Klaus Iohannis, ka thënë se situata me pandeminë është një “katastrofë”.

Më 12 tetor janë regjistruar 16,777 raste të reja në Rumani, bashkë me një rekord prej 442 viktimash.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë më 11 tetor, Rumania ka regjistruar 1.44 vdekje për 100,000 banorë dhe Bullgaria 1.3.

Mesatarja e BE-së për atë ditë ka qenë 0.13 vdekje.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Bullgaria ka shkallën më të ulët të vaksinimit me koronavirus në BE, pasi vetëm 23.5 për qind e popullsisë është e imunizuar plotësisht.

Rumania është në vendin e dytë sa i përket shkallës së ulët të imunizimit më vetëm 34.1 për qind të popullsisë së vaksinuar.

Përhapja e koronavirusit së fundmi ka vënë në pah praktikën e sigurimit të certifikatave të rreme.

Cristian Oancea, menaxher në Spitalin për Sëmundje Infektive në Timisoara, qytet në perëndim të Rumanisë, ka qenë qenë ndër mjekët e parë që ka folur në muajin gusht për këto mashtrime.

“Ne kemi dyshime (rreth asaj nëse dikush është vaksinuar) kur shohim pacientë të rinj shumë të sëmurë”, ka thënë ai.

Teksa mjekët trajtojnë pacientët e sëmurë në njësitet e kujdesit intesiv, që janë mbushur me pacientë, ata janë duke u kërkuar njerëzve që të jenë të sinqertë.

“Ne inkurajojmë pacientët që të jenë të drejtpërdrejtë dhe të sinqetë me stafin mjekësor dhe të ofrojnë informacion korrekt për të ardhur deri te një diagnozë dhe për të marrë trajtimin e duhur”, ka thënë, Decebal Todarita, zëdhënës në Spitalin për Emergjenca, Sibiu.

Njerëzit me certifikata të rreme të vaksinave tashmë janë regjistruar në sistem si të vaksinuar plotësisht.

Për të marrë një vaksinë, ata duhet të presin derisa të kalojë koha për të marrë dozën e tretë përforcuese – ndonëse në realitet, ajo do të jetë e para.

Ish-ministrja rumune e Shëndetësisë, Ioana Mihaila, ka thënë në fund të muajit gusht se ka raportime nga mjekët “që shumë e më shumë pacientë që thonë se janë vaksinuar, janë duke përjetuar simptoma të rënda të sëmundjes dhe e pranojnë se janë të pavaksinuar”.

Daniela Mitrea, mjeke familjare, është ndaluar për 24 orë në muajin shtator, pas dyshimeve se ka lëshuar certifikata të rreme për 10 lojtarë të klubit futbollistik Pucioasa.

Burri i saj Cristian Mitrea, udhëheqës i ekipit në një qytet 100 kilometra në veriperëndim të Bukureshtit, është po ashtu nën hetime.

Policia ka thënë se Mitrea, që është edhe anëtare e Asociacionit të Mjekëve Familjarë, dyshohet se ka hedhur vaksinat që është dashur t’ua japë lojtarëve, në mënyrë që ata të jenë pjesë e garave.

Mitrea ka mohuar çdo keqbërje.

Në Bullgari, shefi i inspektoriatit sanitar, Angel Kunchev, ka thënë se tregtia me certifikata të rremë është e përhapur.

Sipas Siika Mileva, zëdhënëse e Prokurorisë së Përgjithsme, prokurorët bullgarë dhe zyrtarë tjerë janë duke hetuar 14 raste të tilla. Ajo ka thënë se supozimet janë raportuar në shtatë rajone, kryesisht në kryeqytetin, Sofje.

“Ne nuk do të kemi kompromis”, ka thënë ajo.

Keni vaksina, udhëtoni

Ndërkohë që praktika e falsifikimit është duke dalë në pah secilën herë e më shumë dhe numri i të infektuarve është duke u rritur, shumë persona janë duke u penduar për këtë veprim.

Maria dhe Ivan (emra të krijuar nga autorja) nga Sofja, i kanë thënë Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë se kanë paguar 354 dollarë për të marrë certifikatat e rreme në pranverë.

Ata kanë thënë se këto dokumente kanë qenë të domosdoshme për të udhëtuar në Greqi dhe Francë këtë verë.

Në gjithë BE-në, kur një banor vaksinohet, e siguron një certifikatë me një kod nga një institucion zyrtar.

Ata mund ta marrin një kopje fizike, dhe versionin original ta verifikojnë me një mori aplikacionesh telefonike të miratura nga blloku evropian.

Certifikata më pas mund të kontrollohet në restaurante, teatro dhe për të udhëtuar jashtë shtetit.

Maria dhe Ivan kanë thënë se janë infektuar me koronavirus në dimrin e vitit 2020, para se të niste fushata e vaksinimit.

Mjeku i tyre familjar u ka thënë të presin sepse kanë mjaftueshëm anttirupa dhe nuk kanë nevojë të nguten për t’u vaksinuar, ka thënë Ivan.

Në muajin maj, ata kanë thënë se kanë vendosur të blejnë certifikata të rreme, pas raportimeve në media për efektet e mundshme anësore nga vaksinat.

“Fillimisht ka pasur probleme me vaksinën e AstraZenecas, më pas kam lexuar për probleme me vaksinën e Pfizer dhe në muajin maj, kur e kemi ditur çfarë plane kemi për verë, kemi vendosur të blejmë certifikatat”, ka thënë Maria.

Si funksionon vaksina e Pfizer dhe BioNTech?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Ata kanë siguruar dokumentet për 24 orë, në të cilat është thënë se kanë siguruar dy doza të vaksinës Pfizer.

Maria ka thënë se askush nuk e ka pyetur pse nuk ka dëshiruar të vaksinohet.

“Unë u kam thënë se kemi antirupa dhe jemi të frikësuar nga efeket e vaksinës. Nuk ka pasur asnjë reagim”, ka thënë ajo.

Në Rumani, në aplikacionin për mesazhe Telegram, një grup i quajtur “Certifikata _COVID-19” u premton anëtarëve të grupit certifikatë pa u vaksinuar dhe i çon përdoruesit te një tjetër llogari me emër, E_Vaccin.

Një gazetar rumun nga televizioni Digi24 i është bashkuar grupit në Telegram dhe i është ofruar certifikatë për 115 dollarë. Gazetarit i është premtuar një dokument që thotë se ka marrë vaksinë të kompanisë Johnson & Johnson në Spitalin Grigore Alexandru në Bukuresht, ndonëse spitali më i vjetër i fëmijëve në Rumani nuk ka qendër vaksinimi.

Lucian Bode, ministr i Brendshëm rumun, ka thënë më 30 gusht se policia është duke hetuar atë rast dhe rreth 400 raste tjera të ndara për mashtrime rreth vaksinës.

Pavarësisht hetimeve policore, autoritetet në Bullgari dhe Rumani janë duke pasur vështirësi në shkatërrin të tregtisë me certifikata të rreme.

Insepektori bullgar Kunchev, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet rajonale shëndetësore kanë dorëzuar raporte për mjekët që dyshohet se kanë bërë tregti të tilla, mirëpo është e vështirë që të ketë të dhëna konkrete.

Maria Sharkova, eksperte për ligjet rreth mjekësisë në Bullgari, ka thënë se legjislacioni nuk e specifikon se kush është përgjegjës për futjen e të dhënave në sistemin elektronik.

Kjo gjë e bën të vështirë që të ndëshkohen ata që kanë bërë shkelje.

Viktimat i dërgojnë të dhënat e tyre dhe u kërkohet të paguajnë rreth 100 euro për certifikatë të vaksinës. Shitësit u kërkojnë pagesa në monedha digjitale bitcoin apo përmes platformës PayPal.

“Mos e merrni vaksinën, mund t’ju vrasë”

Ekspertët besojnë se shkalla e lartë e refuzimit dhe hezitimit për vaksinim në të dyja shtetet nxitet nga mosbesimi në autoritete dhe dezinformatat në internet dhe rrjete sociale.

Mirëpo problemi rritet nga fakti se disa pjesëtarë të stafit shëndetësor kundërshtojnë vaksinat po ashtu.

Një rrobaqepëse nga Bukureshti, 57-vjeçare, e cila ka kërkuar të mos i përmendet emri, ka thënë se ajo e ka shoqëruar partnerin e saj, i cili është shëruar nga koronavirusi në muajin prill, që ta bëjë një termin te pulmologu në një spital publik.

Sipas saj, mjeku i ka thënë çiftit: “Mos e merrni vaksinën, do t’ju vrasë”.

Kur ajo ka thënë se tashmë është vaksinuar, mjeku i ka thënë se ajo do të jetë e vdekur për tre muaj.

Ndërkohë që shkalla e infektimit rritet – bashkë me numrin e të vdekurve – më shumë njerëz në Bullgari dhe Rumani janë duke u penduar që nuk janë vaksinuar, apo se kanë marrë certifikata të rreme.

Dorel Sandesc, zëvendës-shef në Asociacionin për Kujdes Intensiv në Rumani, ka thënë më 5 tetor se njësitë për kujdes intensiv tani i ngjajnë “ferrit”.

“Ka pacientë që pendohen pse nuk janë vaksinuar”, ka thënë ai.

“Ka shumë prej tyre që i shohim në baza ditore. Ata janë të dëshpëruar dhe është vonë tani”, ka thënë ai për Digi24.

Izraelitët motivojnë me ëmbëlsira vaksinimin kundër COVID-19
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

Ditëve të fundit është vërejtur rritje e interesimit për imunizim në Rumani.

Më 8 tetor, sipas faqes covidvax.live, rreth 67,415 persona janë vaksinuar.

Një muaj më herët, më 8 shtator, shifra ka shkuar në 9,475.

Shumë persona që janë penduar pse nuk janë vaksinuar, janë duke e shndërruar fajin në diçka pozitive.

Biznismeni, Erno Kovacs, ka qenë kritik i madh i vaksinave që ka promovuar protesta kundër vendosjes së maskave.

Mirëpo ai është infektuar me koronavirus në fund të muajit shtator. Për pasojë është shtruar në spital dhe ka pasur nevojë për terapi me oksigjen.

Vetë ai tani po bën thirrje për vaksinim.

“Më vjen keq që isha kundër vaksinës kundër COVID-19. Do ta promovoj vaksinën. Mjekët janë heronj, më vjen keq që nuk ju kam besuar”, ka shkruar ai në një postim të publikuar në platformën qeveritare për koronavirus, Ro Vaccinare.

Sa i përket çiftit bullgar, ata janë duke shpresuar që të marrin dozën e tretë kur të kenë mundësi.

“Në dokument ne do të kemi tri doza, mirëpo në fakt do të jetë vetëm një. Një është më mirë sesa hiç”, ka thënë Maria.

“Ne kemi mashtruar dhe kemi vepruar keq. Kemi vepruar ashtu nga frika dhe pak nga arroganca”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG