Ndërlidhjet

Kenia thotë se largimi i Rusisë nga marrëveshja për drithërat është thikë pas shpine


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja që i mundësonte Ukrainës transportimin e drithërave përmes Detit të Zi, është “thikë pas shpine” për shtetet që po përballen me thatësi, ka thënë Qeveria e Kenias.

Ky shtet është në një rajon që po përballet me një prej thatësirave më të këqija në dekada.

Moska ka thënë të hënën se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen, duke e akuzuar Perëndimin se nuk është duke vepruar në përputhje me paktin.

Bllokada ruse në portet ukrainase vitin e kaluar, i ka rrezikuar furnizimet globale me ushqime në disa pjesë të Afrikës.

Çmimet e drithërave janë rritur, mirëpo marrëveshja e ndërmjetësuar në korrik të vitit 2022 nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia ka mundësuar Ukrainës që t’i rinisë furnizimet në botë.

Vendimi i Rusisë është dënuar nga liderët botërorë, të cilët kanë thënë se diçka e tillë do t’i dëmtojë disa prej vendeve më të varfra në botë.

Rusia, në anën tjetër, ka thënë se do të rikthehet në marrëveshje nëse plotësohen kushtet.

“Vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Iniciativa e Detit të Zi për Drithërat, është thikë pas shpine për sigurinë ushqimore globale dhe ndikon në mënyrë joproporcionale në rajonin e Afrikës, që veçse është prekur nga thatësia”, ka thënë Korir Sing'Oei, ministër i Jashtëm i Kenias.

Më shumë se 50 milionë njerëz në Somali, Kenia, Etiopi dhe Sudanin Jugor, kanë nevojë për ndihma ushqimore, për shkak të sezonit pa shi.

Rusia ka thënë se dështimi i Ukrainës për të eksportuar më shumë drithëra në shtetet e varfra, ka qenë njëra prej arsyeve pse është larguar nga marrëveshja.

Megjithatë, OKB-ja ka thënë se Ukraina i ka dërguar 625.000 tonë me ndihma ushqimore në Afganistan, Etiopi, Kenia, Somali, Sudan dhe Jemen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG