Ndërlidhjet

Këmbimi më i madh i të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë

Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer një numër të madh të të burgosurve të luftës – pothuajse 300 persona – më 21 shtator. Ky është këmbimi më i madh të burgosurve që nga nisja e luftës.

Ukraina tha se Rusia ka liruar 215 ushtarë të saj, përfshirë luftëtarë që kanë udhëhequr mbrojtjen në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Në këmbim, Kievi ia ka dorëzuar 55 të burgosur Rusisë, përfshirë Viktor Medvedchuk, ish-ligjvënës ukrainas dhe aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

Sipas Ukrainës, këmbimi i të burgosurve është bërë në disa faza dhe në disa lokacione.

Në mesin e të burgosurve që janë liruar janë edhe pesë shtetas britanikë dhe dy amerikanë, disa prej të cilëve ishin dënuar me vdekje pasi ishin kapur në Ukrainë dhe ishin akuzuar se ishin mercenarë. Luftëtarët e huaj janë transferuar nga Rusia për në Arabinë Saudite.

Britaniku Aiden Aslin, i kapur më herët gjatë këtij viti, ndaj të cilit u ngritën akuza nga një gjykatë e udhëhequr nga separatistët në rajonin ukrainas të Donjeckut, u transferua në Arabinë Saudite, së bashku me shtetasit amerikanë Alexander Drueke dhe Andy Huynh. Shtetasit amerikanë janë nga Alabama dhe ishin kapur në qershor teksa po luftonin në lindje të Ukrainës në mbështetje të forcave të Kievit.


Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG