Ndërlidhjet

Kazakistani në referendum për ndryshim të madh kushtetues


Votimi në referendumin e Kazakistanit
Votimi në referendumin e Kazakistanit

Votuesit e Kazakistanit po votojnë në një referendum kushtetues për të cilin presidenti Qasym-Zhomart Toqaev ka thënë se do ta zhvendosë vendin nga një "formë superpresidenciale e qeverisjes në një republikë presidenciale me një parlament të fortë".

Referendumi i 5 qershorit për rreth 56 ndryshimet e propozuara në Kushtetutë vjen pasi vendi u trondit nga trazirat vdekjeprurëse në janar që i dhanë fund kontrollit të gjatë në pushtet të presidentit të parë të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev.

Kundërshtarët e qeverisë i kishin bërë thirrje Toqaevit të shtynte referendumin, duke thënë se njerëzve nuk u ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të studiuar propozimet.

Të tjerë thanë se votimi duhet të anulohet fare.

Qeveria raportoi se pjesëmarrja në votim ishte rreth 44 për qind pas pesë orësh votimi.

Për t'u miratuar, më shumë se 50 përqind e votuesve në të paktën 12 nga 17 rajonet e vendit duhet të votojnë në favor të amendamenteve.

Ndryshimet do ta ndalojnë presidentin e vendit të jetë anëtar i një partie politike gjatë kohës që mban postin.

Ndoshta edhe më e rëndësishmja, të afërmit e presidentit nuk do të lejoheshin të mbanin asnjë post kyç në sektorin publik.

Kjo masë shihet si një përpjekje për të parandaluar thellësinë e pabesueshme të nepotizmit që ndodhi nën Nazarbaevin.

Ai që do të humbasë më shumë nëse miratohet referendumi është Nazarbaevi, i cili udhëhoqi Kazakistanin nga viti 1990 deri në vitin 2019 dhe gëzoi ndikim të rëndësishëm politik si ish-president deri në trazirat e përgjakshme mbarëkombëtare në janar që la të paktën 238 njerëz të vdekur.

Kushtetuta e rishikuar heq të gjitha referencat për Nazarbaev si "Elbasy" (udhëheqës i kombit), gjë që do të çimentonte rënien e tij nga “froni” që filloi me kërkesat e protestuesve antiqeveritar për t'i dhënë fund kontrollit të familjes së tij në politikën dhe pasuritë e vendit.

Nazarbaev, 81 vjeç, dhe të afërmit e tij të ngushtë do të humbnin gjithashtu imunitetin e tyre të përjetshëm nga ndjekja penale nëse referendumi miratohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG