Ndërlidhjet

"Skllavërimi seksual" i një të miture trondit Kazakistanin


Ilustrim.
Ilustrim.

Si mund të ndodhte diçka e tillë?

Kjo është pyetja që po parashtrohet vazhdimisht në Kazakistan pasi nëna e një nxënëseje 17-vjeçare tregoi se si vajza e saj ishte mbajtur si skllave seksi për gjashtë muaj, teksa shokët e saj të klasës morën pagesa nga ajo që mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se ishin qindra “klientë” të viktimës, që ishin në moshë madhore.

Deri më tani, nuk ka një përgjigje të plotë për këtë pyetje.

Policia, që po heton këtë rast të tmerrshëm në qytetin jugperëndimor të Kozollordës, ka paralajmëruar kundër asaj që ata e quajnë “dezinformim” rreth kësaj çështjeje, duke kundërshtuar portretizimin e bërë nga mbrojtës të të drejtave të njeriut të një “grupi mafioz fëmijësh” që dyshohet se ishte përgjegjës për shfrytëzimin tragjik të nxënëses.

Megjithatë, më 15 gusht, të katër të miturit që përballeshin me akuza se kishin shituar bashkëmoshataren e tyre për seks u arrestuan, një ditë pasi aktivistët dhe avokatët mbajtën një konferencë për media përmes internetit për këtë rast.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet në Kazakistan janë treguar të ngathëta në trajtimin e rasteve të tilla, teksa sistemi i dobët për mbrojtjen e fëmijëve – nga shkollat e deri te zbatimi i ligjit – sërish është vendosur në qendër të vëmendjes.

“Vajza gjithnjë e më të reja po punojnë si punëtore seksi”

Të paktën një prej katër të dyshuarve aktualë që gjenden në burg, ishte shoqe e dikurshme e viktimës, sipas nënës së viktimës, e cila foli në ngjarjen e mbajtur online. Megjithatë, ajo foli në kushte anonimiteti.

Të dy vajzat jetonin në një perimetër prej 500 metrash larg nga shkolla ku vijonin mësimet në Kozollorda dhe kjo mikeshë thuhet se ishte vizitore e rregullt e shtëpisë së viktimës.

Më herët gjatë këtij viti, vajza që atëherë ishte 16-vjeçare, nisi të kalonte gjithnjë e më shumë kohë me shoqen e saj dhe shpesh edhe flinte në shtëpinë e saj.

Nëna tha se ajo nuk ishte e lumtur me kohën që vajza e saj e kalonte larg shtëpisë, por nuk e ndaloi.

Ajo tha se kishte një fotografi lakuriq e vajzës së saj, që një grup prej tri vajzash dhe një djali e kishin përdorur për ta shfrytëzuar atë si sllave seksi. Nëna tha se grupi mori telefonin e vajzës dhe siguroi këtë fotografi dhe duke e shantazhuar me këtë fotografi, e detyruan 17-vjeçaren që të regjistrohej në një ueb-faqe për punëtore të seksit. Emri i kësaj ueb-faqeje nga gjuha kazake përkthehet në “vajzat”.

Derisa kaluan muajt, shfrytëzimi i viktimës arriti në nivelin e tillë sa ajo i dërgonte këtij grupi deri në 6.000 dollarë në muaj, të cilat i ishin transferuar në llogarinë e saj nga klientët. Ajo ndali për vete para sa për udhëtime, teksa mezi ushqehej.

Nëse vonohej t’ia kryente këto pagesa grupit, ata e rrihnin apo e torturonin psikologjikisht, tha nëna e viktimës.

Ilustrim.
Ilustrim.

Grupi po ashtu dyshohet se e ka droguar në mënyrë që të maksimizojë vlerën e saj ekonomike.

Dina Smailova, udhëheqja e fondacionit NeMolchi.kz, e cila foli në konferencën për media, tha se burrat që e shfrytëzuan viktimën meritojnë të shihen si “pedofilë”, pavarësisht faktit se viktima kur ishte regjistruar në atë ueb-faqe ishte deklaruar se ishte 18-vjeçare.

“Në fakt ajo është shumë më e re dhe për shkak se ka trup të dobët, ajo duket edhe më e re, 14 apo 15 vjeçe”, tha Smailova në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 16 gusht.

Aktivistja, e cila është në komunikim të drejtpërdrejtë me viktimën, tregoi për gjendjen e saj, duke thënë se ajo ka “një zbrazëti emocionale”. Ajo shtoi se tani viktima ka qasje te një psikolog dhe është nën mbrojtje të posaçme të shtetit.

“Asaj i është kërkuar që klientët t’i përshëndeste duke buzëqeshur, në mënyrë që të hiqeshin dyshimet. Pasi klientët largoheshin, ajo rrihej. Sigurisht, ajo ka trauma psikologjike dhe fizike”, tha Smailova.

“Ajo që shohim tani është se vajza gjithnjë e më të reja po bllokohen në industrinë e punëtorëve të seksit”, shtoi Smailova.

“Në këtë ueb-faqe, ata kanë kode që lënë të kuptohet kur një vajzë është nën 18 vjeç. Në një rast që ne kemi hetuar në [qytetin më të madh të Kazakistanit] Almati... ata ia lyen flokët vajzave me ngjyra të ndryshme, në mënyrë që klientët të mos e kuptonin se ato ishin minorene”, tha ajo.

“Frika nga vdekja”

Për shkak të kohës që vajza e saj u shfrytëzua seksualisht, reagimet në media dhe në media sociale për këtë ngjarje kanë shënjestruar edhe nënën e viktimës, duke parashtruar pyetje se si ajo nuk e kuptoi se çfarë po i ndodhte bijës së saj deri më herët gjatë këtij muaji.

Pasi nxënësja gjithnjë e më shumë ishte detyruar të bënte një jetë si skllave seksi, ajo nisi të mos shkonte në shkollë rregullisht, teksa nën detyrimin e grupit deri në maj i kishte kaluar shumë net larg familjes së saj. Pas majit, ajo më nuk shkoi në shtëpi.

Smailova tha se kritikat janë të kuptueshme, por shtoi se sistemi i Kazakistanit “ushtron presion mbi prindërit” të cilët tentojnë të zbulojnë për problemet që fëmijët e tyre kanë në shkollë.

Dhe kjo çështje u theksua edhe nga nëna e viktimës gjatë konferencës për media. Ajo tha se kishte pyetur shkollën “disa herë”, duke filluar nga muaji mars, lidhur me ndryshimin e sjelljes së vajzës së saj dhe rënies në mësime.

“Pasi nuk pranova asnjë ndihmë nga shkolla, por vetëm kërcënime, iu drejtova policisë për të mitur dhe një inspektori lokal. Por, ndodhi e njëjta gjë. Edhe ata më kërcënuan, duke më thënë se do të ma marrin vajzën dhe ne do t'i humbim të drejtat tona prindërore. Ata ishin joprofesionalë, duke na qortuar dhe duke drejtuar gishtin drejt nesh”, tha ajo.

Vajza e saj – e cila gjatë kësaj periudhe kishte vizituar një psikolog në shkollë “që i kishte bërtitur – po ashtu i kishte kërkuar asaj që të mos ankohej.

Por, më 6 gusht viktima u kthye në shtëpinë e familjes së saj, me një shpjegim që nëna e saj tha se ishte i motivuar prej “frikës nga vdekja”, pasi një nga vajzat e grupit e kishte kërcënuar se do ta vriste nëse ajo nuk do t’i dërgonte grupit 250.000 tenge (rreth 520 dollarë).

“Një nga miqtë e saj nga Instagrami e ndihmoi që të kthehej në shtëpi. Ajo na tregoi gjithçka. Ishte e bërë pis dhe ishte e mavijosur në gjithë trupin. Të gjitha plagët i shiheshin. Do të padisë të gjithë ata që e kanë prekur, – më shumë se 1.000 persona – të gjithë ata që e dërguan në hotele dhe sauna”, tha nëna.

Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Policia në Kozollorda konfirmoi më 14 gusht se është ngritur akuzë ndaj prindërve të dyshuar, për shkak të “dështimit që të përmbushin obligimet e tyre për rritjen e një të mituri”.

Një tjetër e afërme e viktimës, që foli në kushte anonimiteti për Shërbimin kazak të Radios Evropa e Lirë, tha se familja tani po kërkon që prindërit e të dyshuarve të ndiqen penalisht për akuza më serioze, duke besuar se njëri prej tyre mund të jetë bashkëpunëtor në këtë rast.

Të dyshuarit po përballen me akuzën e “inkurajimit të një të mituri në prostitucion”.

Më 16 gusht, administrata e provincës Kozollorda, raportoi se guvernatori i provincës kishte urdhëruar shkarkimin e drejtorit dhe stafit tjetër në shkollën ku vijonte mësimet viktima.

Një adoleshente, familjare e viktimës, që foli për REL-in në kushte anonimiteti, tha se familja tani po kërkon që njëri nga prindërit e të dyshuarve, të ndiqet penalisht për akuza më serioze. Kjo, pasi familja e viktimës beson se ky person i moshës madhore, mund të ketë qenë bashkëpunëtor i grupit.

“Pas konferencës, ata nisën të punonin në mënyrë shumë aktive”, tha Smailova, duke iu referuar përgjigjes së autoriteteve për këtë rast.

Por, para konferencës, nëna e viktimës tha se ajo ishte paralajmëruar nga një polic që të mos e kontaktonte Smailovan, e cila përmes punës së saj ka ekspozuar disa raste të oficerëve të përfshirë në sjellje të pahijshme seksuale dhe korrupsion. Nëse kthehet në Kazakistan, Smailova përballet me akuza për mashtrim.

E gjithë kjo krijon përshtypjen se prioriteti i autoriteteve është që të parandalojë publikimin e informacioneve për këtë incident tronditës sesa të parandalojë incidente të tilla.

Dhe Smailova argumentoi se një qasje e tillë po nxit problemet në provincat konservatore, sikurse skllavërimi seksual, pasi në këto provinca shpesh viktimat nuk kanë rrjete të mbështetjes.

Vitin e kaluar, në qytetin jugor kazak, Turkistan, ndodhi një tragjedi tjetër, kur një vajzë 17-vjeçare kërceu nga kati i gjashtë i një ndërtese, pas konfliktit me një klient të saj. Vajza kishte refuzuar që t’i ofronte shërbime seksuale. Edhe ajo ishte e regjistruar në ueb-faqen e njëjtë sikurse viktima e tanishme, tha Smailova.

“Ne e dimë që vajza mbijetoi, por nuk e dimë se si përfundoi rasti”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

REL-i ka tentuar të kontaktojë shkollën në Kozollorda dhe policinë në rajon, por nga këto institucione nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG