Ndërlidhjet

Katari kritikon Izraelin për bombardimet në Gazë


Shkatërrime pas sulmeve izraelite në Rripin e Gazës. 1 dhjetor 2023.
Shkatërrime pas sulmeve izraelite në Rripin e Gazës. 1 dhjetor 2023.

Katari tha se po vazhdon përpjekjet për të ringjallur armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke shprehur “keqardhje të thellë” për rinisjen e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës.

Katar, që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, duket se ka veçuar vetëm rolin e Izraelit në rikthimin e dhunës.

Ministria e Jashtme e Katarit tha se “bombardimet e vazhdueshme në Rripin e Gazës në orët e para pas përfundimit të pauzën [së luftimeve], ndërlikojnë përpjekjet ndërmjetësuese dhe përkeqësojnë katastrofën humanitare” në Gazë.

Kjo ministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të veprojë menjëherë që të ndalet dhuna”.

Mëngjesin e 1 dhjetorit, Izraeli nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, pasi marrëveshja njëjavore e armëpushimit përfundoi.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, akuzuan njëri-tjetrin për dështim të arritjes së një pajtimi për zgjatjen e armëpushimit.

Katari ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes së parë të armëpushimit, që hyri në fuqi më 24 nëntor. Marrëveshja fillestare ishte paraparë të zgjaste katër ditë, por ajo u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

Marrëveshja parashihte lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Gjatë shtatë ditëve armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë – 23 tajlandezë dhe një filipinas – u liruan, përfshirë edhe disa burra.

Është e paqartë se në mesin e pengjeve të mbetura në Gazë sa prej tyre janë gra e sa ushtarë.

Izraeli ka thënë se afër 125 burra janë ende duke u mbajtur peng.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë të pareshtur ajrore dhe tokësore në Gazë, duke vrarë mbi 13.300 persona. Si pasojë e luftimeve, mbi tri e katërta e popullsisë prej 2.3 milionë banorëve në Gazë është zhvendosur.

Sulmet fillestare të Izraelit u përqendruan në veri të Gazës, por me rinisjen e luftimeve, zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar banorët në jug të territorit palestinez që të largohen, duke sugjeruar se Izraeli po e zgjeron ofensivën e saj edhe në jug.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG