Një zyrtar i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian duhet të jenë garantuese, në rast se do të ketë ndonjë marrëveshje potenciale, që synon përfundimin e mosmarrëveshjeve midis Katarit dhe vendeve të Gjirit Arab.
Kriza ndërmjet këtyre vendeve nisi më 5 qershor, pasi Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti shkëputën marrëdhëniet me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të ekstremizmit.
Anwar Gargash, ministër i Punëve të Jashtme në Emiratet e Bashkuara, ka thënë se marrëdhëniet mund të rregullohen “nëse Katari heq dorë nga mbështetja e ekstremizmit dhe terrorizmit".
"Nëse Katari ndjek rrugën e drejtë ... neve na duhet një sistem i sigurisë dhe garancisë, për të zbatuar ndonjë marrëveshje me Katarin”, ka thënë Gargash.
Ai me këtë deklaratë ka bërë thirrje për “nevojën e sigurisë evropiane dhe amerikane”.
"Ne nuk duam ndonjë ndërmjetësimin evropian, madje mendoj se evropianët as nuk duan të jenë ndërmjetësues. Ne nuk duam që roli i tyre të jetë ushtrimi i presionit mbi Katarin," ka shtuar Gargash.
Me ndërmjetësimin e Kuvajtit, vendet e Gjirit Arab më 22 qershor i paraqitën Katarit një listë prej 13 kërkesash, të cilat ndër të tjera përfshinin mbylljen e transmetuesit Al-Jazeera.
Katarit iu dhanë 10 ditë afat për t’i pranuar kërkesat.
Në këtë listë përfshihej edhe shkëputja e lidhjeve që Doha ka me Iranin, si dhe mbylljen e një baze ajrore turke në territorin e saj.
Katari, në anën tjetër, i quajti kërkesat "të paarsyeshme".
"Kjo listë kërkesash konfirmon atë çfarë Katari ka deklaruar nga fillimi. Bllokada e paligjshme nuk ka të bëjë aspak me luftën kundër terrorizmit, ka të bëjë me kufizimin e sovranitetit të Katarit ", deklaroi drejtori i zyrës së komunikimit në Qeverinë e Katarit, sheiku Saif al-Thani.
Presidenti turk, Recep Tayyip Ergodan,i quajti të jo të ndershme kërkesat e vendeve të Gjirit, për mbylljen e një baze ushtarake turke në Katar.
"Nuk është e ndershme kërkesa ndaj Turqisë për tërheqjen e trupave të saj nga Katari”, ka thënë ai.
Gargash mohoi se vendi i tij dhe aleatët duan "ndryshimin e regjimit" në Katar, por duan një "ndryshim të sjelljes":
"Përshkallëzimi nuk është zgjidhje. Është shumë e vështirë për ne që të mbajmë kontakte grupore me një vend i cili vazhdimisht promovon ekstremizmin dhe terrorizmin".
Departamenti i SHBA-së nuk bëri komente mbi listën e kërkesave ndaj Katarit.
Shtëpia e Bardhë u distancua nga mosmarrëveshja, duke e quajtur këtë problem si "çështje familjare", e cila duhet të zgjidhet ndërmjet shteteve arabe.
Katari është baza e rreth 10,000 personave ushtarakë amerikanë. SHBA-ja nga atje mbikëqyr operacionet ushtarake jo vetëm në Siri, por edhe në Irak dhe Afganistan.
Facebook Forum