Ndërlidhjet

Parlamenti i Katalonjës shpall pavarësinë nga Spanja


Momenti i shpalljes së pavarësisë të Katalonjës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Parlamenti i Katalonjës shpalli të premten pavarësinë nga Spanja. Ligjvënësit kanë mbajtur votim të fshehtë, por pa pjesëmarrjen e opozitës.

Në bazë të rezultatit, 70 deputetë votuan për, dhjetë kundër, ndërsa dy fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.

Senati i Spanjës, në anën tjetër, autorizoi qeverinë qendrore në Madrid të marrë menjëherë kontrollin direkt të Katalonjës.

Senati votoi me 214 vota në favor të lejimit të Madridit për të marrë kontrollin e Katalonjës, për të shkarkuar liderin katalanas, Carles Puigdemont, dhe ministrat e tij. Dyzeteshtatë senatorë kanë qenë kundër.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, bëri thirrje për qetësi dhe tha se sundimi i ligjit do të rikthehet në Katalonjë.

Këtë muaj, Katalonja ka mbajtur referendum për pavarësi, të cilin Madridi e ka shpallur jokushtetues. Asnjë vend nuk ka shprehur mbështetje për shkëputjen.

Rajoy tha se kërkon masa të jashtëzakonshme, sepse nuk ka zgjidhje tjetër dhe se në Katalonjë duhet të kthehet “ligji, demokracia dhe stabiliteti”.

Ai e akuzoi Qeverinë e Katalonjës për ndarje të familjeve dhe përçarje të shoqërisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Katalonja është pjesë integrale e Spanjës dhe se Uashingtoni i mbështet masat e Qeverisë spanjolle për ta mbajtur Spanjën të bashkuar.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, shkroi në Twitter se për bllokun “nuk ndryshon asgjë” pas deklaratës së Katalonjës për pavarësi.

Ai tha se BE-ja do të vazhdojë të merret vetëm me Madridin, por shfaqi shpresën se Qeveria e Spanjës "do të favorizojë forcën e argumentit dhe jo argumentin e forcës".

Një zëdhënës në zyrën e prokurorit të Spanjës tha se ai do të kërkojë akuza për rebelim kundër përgjegjësve për shpalljen e pavarësisë.

Ai tha se prokurori do të përcaktojë nëse akuzat duhet të lidhen vetëm me kabinetin katalanas, përfshirë Puigdemontin dhe nënpresidentin Oriol Junqueras, apo do të përfshijnë edhe anëtarët e parlamentit.

Katalonja, rajoni më i pasur i Spanjës, ka gjuhë dhe kulturë të veçantë dhe përfshin qytetin e Barcelonës. Ajo ka qenë pjesë e Spanjës qysh në shekullin 15, por ka histori të gjatë të ndjenjës separatiste.

Me një popullsi prej 7.5 milionë banorësh, Katalonja përbën rreth 20 përqind të prodhimit ekonomik të Spanjës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG