Reuters
Në Katalonjë mbahen të dielën zgjedhjet rajonale dhe tema e pavarësisë del sërish në pah.
Si nisi dhe ku është sot kjo nismë?
Deri në krizën financiare të Eurozonës më 2012, e cila çoi në humbje të mëdha të vendeve të punës, mbështetja për pavarësi në rajonin verilindor të Spanjës ishte margjinale.
Masat e kursimit shtynë pastaj Qeverinë rajonale që të kërkojë më shumë kontroll mbi buxhetin e saj - gjë të cilën Qeveria qendrore në Madrid e refuzoi.
Nën presionin e grupeve separatiste, partia konservatore dhe nacionaliste katalanase që qeveriste rajonin, CiU, e ndryshoi qasjen dhe përqafoi kauzën e pavarësisë.
Ajo i kërkoi Qeverisë qendrore konservatore që të lejonte një referendum për pavarësinë, por ai u refuzua.
Pas disa vitesh tubime masive pro pavarësisë dhe fërkimeve në rritje midis Katalonjës dhe Madridit, dëshira për pavarësi kulmoi në vitin 2017.
Presidenti i atëhershëm i Katalonjës, Carles Puigdemont, i mbështetur nga asambleja rajonale që kontrollohej nga separatistët, shpalli referendumin për pavarësi, duke shkaktuar një valë tronditëse në të gjithë Evropën.
Rreth 2.3 milionë njerëz, apo rreth 43% e votuesve me të drejtë vote, dolën në një votim të paautorizuar nga gjykatat.
Sipas Qeverisë katalanase, rreth 90% e tyre votuan për t’u shkëputur nga Spanja. Shumë prej atyre që e kundërshtonin pavarësinë, e bojkotuan votimin.
Ligjvënësit katalanas votuan me shumicë për ta njohur rezultatin e referendumit dhe e shpallën Katalonjën të pavarur.
Por, Madridi e mori udhëheqjen e rajonit, duke shpërndarë Parlamentin dhe duke shkarkuar Puigdemontin, i cili iku në Belgjikë.
Nëntë aktivistë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë katalanase u burgosën dhe u dënuan për rolet e tyre.
Në vitin 2021, pastaj, ata u falën nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
Gjatë dekadës së fundit, rajonin e qeverisën dy parti separatiste katalanase, që aktualisht kanë ndikim të madh mbi politikën spanjolle, ndërsa Qeveria e pakicës e Sanchezit mbështetet në votat e tyre për të miratuar legjislacionin në Kongresin kombëtar.
Në këmbim të kësaj mbështetjeje, Sanchez prezantoi një projektligj amnistie, për t’ua shlyer të kaluarën kriminale separatistëve të përfshirë në referendumin për pavarësi.
Partia e moderuar e qendrës së majtë, Esquerra Republicana de Catalunya (ERC), kontrollon aktualisht Qeverinë rajonale katalanase, me Pere Aragonesin si president të sajin.
Partia Junts, në anën tjetër, doli nga CiU-ja dhe u krijua nga Puigdemont në vitin 2017.
Puigdemont jeton në vetëmërgim në Belgjikë, ku shërben si deputet i Parlamentit Evropian dhe bën fushatë për zgjedhje nga Franca.
Ai u zotua se do të kthehet në Katalonjë kur projektligji i amnistisë i Sanchezit - i cili do ta anulonte urdhrin e arrestit me të cilin përballet - të hyjë në fuqi në fund të majit ose qershorit.
Aragones dhe Puigdemont do të garojnë në zgjedhjet e së dielës dhe të dy u zotuan se nëse ia dalin me sukses, do ta ringjallin nismën për pavarësi dhe do të kërkojnë referendum ligjor.
Sanchez i kundërshtoi fuqishëm këto deklarata.
Sondazhet, megjithatë, tregojnë se socialistët do të fitojnë shumicën e votave, ndërsa ERC dhe Junts i kanë gjasat e kufizuara për të fituar mjaftueshëm për koalicion.
Mbështetja për pavarësi ra nga niveli që kishte në vitin 2017, pasi Sanchez i zvogëloi armiqësitë, duke përmirësuar dialogun me udhëheqësit rajonalë dhe duke i reduktuar ndjekjet penale.
Lëvizja për pavarësi u dëmtua edhe nga grindjet e brendshme mes partive.
Një sondazh i kryer në shkurt dhe mars nga Qendra Katalanase për Opinionin Publik - e drejtuar nga Qeveria - zbuloi se 42% e të anketuarve e mbështesin pavarësinë, krahasuar me 49% në vitin 2017.
Në zgjedhjet kombëtare të vitit të kaluar, kjo rënie e entuziazmit u reflektua edhe në rezultat. Përfaqësimi i ERC-së ra nga 13 deputetë në shtatë, ndërsa Junts ra nga tetë në shtatë.