Ndërlidhjet

Katalonia në prag të shpalljes së pavarësisë


Lideri rajonal i Katalonisë, Carles Puigdemont, pritet të flasë sot në Parlamentin rajonal të Katalonisë, duke paralajmëruar se Parlamenti mund të votojë për pavarësi nga Spanja.

Puigdemon ka njoftuar për adresimin e tij në Parlament, por ai nuk ka precizuar se për çfarë do të flasë, megjithatë politikanët separatistë kanë thënë se ata presin një deklarim të bazuar në rezultatet e referendumit për pavarësi të mbajtur më 1 tetor.

Në prag të shpalljes së pavarësisë, policia spanjolle ka zbarkuar në Parlamentin rajonal të Katalonisë, ku pritet të mbahet seanca plenare. Ata po mbikëqyrin ndërtesat publike dhe kanë mbyllur një park përreth Parlamentit.

Kryetari i Barcelonës, Ada Colau, i ka bërë thirrje zotit Puigdemont që ta “de-eskalojë” situatën e krijuar.

Ministri spanjoll për Ekonomi, Luis de Guindos, ka thënë se shpreson në “sens të përbashkët” dhe shpreson se liderët separatistë katalanas nuk do të shpallin pavarësinë sot.

Ministri de Guindos ka fajësuar qeverinë e Puigdemonit, siç e quajti ai “radikale” dhe “të papërgjegjshme”, duke shtuar se homologët evropianë kanë shprehur mbështetje për Qeverinë e unifikuar spanjolle.

Një deklaratë në Parlament rreth shkëputjes së Katalonisë nga Spanja, apo një shpallje e Republikës së re katalane, padyshim se do të hasë në kundërshtime të ashpra nga autoritetet në Spanjë.

Agjencia e lajmeve Associated Press, ka njoftuar se autoritetet qendrore në Spanjë, mund të pezullojnë vetëqeverisjen katalanase dhe mund të marrin të gjithë pushtetin në rajon.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, kishte thënë se Qeveria e tij mund t’i shfrytëzojë të drejtat kushtetuese për ta pezulluar autonominë e Katalonisë dhe ta parandalojë këtë rajon nga ndarja prej Spanjës.

Absolutisht nuk përjashtoj asgjë që është brenda ligjit”, kishte thënë Rajoy në një intervistë. Ai ka shtuar se “do të ishte ideale që të mos ketë nevojë për implementim të zgjidhjeve ekstreme, por që kjo të mos ndodhë, gjërat duhet të ndryshojnë”.

Më tutje, ai kishte theksuar se “dëshiroj që kërcënimi për referendum të pavarësisë të tërhiqet sa më shpejtë që është e mundshme”.

Ai ka shprehur përkushtim se Qeveria qendrore do të sigurohet se kurrfarë deklarate e pavarësisë së Katalonisë nuk do të jetë fuqiplotë dhe se “nuk do të çonte askund”.

Zoti Puigdemont gjatë javës së kaluar kishte tërhequr vërejtjen duke thënë se nëse Qeveria e Spanjës do të përpiqet të intervenojë për ta marrë kontrollin ndaj Qeverisë së Katalonisë, atëherë ky do të ishte “një gabim që i ndryshon të gjitha”.

Separatistët kanë shpallur të vlefshme fitoren pro pavarësisë në votim, e cila u pasua nga protesta masive të katalanasve të zemëruar nga taktikat e rënda të policisë.

Ka pasur edhe protesta të mëdha nga njerëz në mbështetje të unitetit kombëtar të Spanjës.

Ditë më parë, mijëra njerëz ishin mbledhur në Madrid dhe Barcelonë, për të mbështetur Spanjën unike dhe kanë bërë ftesë për dialog politik.

Protestuesit bartnin parulla që shkruanin “Spanja është më e mirë se liderët” dhe “le të bisedojmë”.

Autoritetet e Katalonisë thonë se afro 90% e 2.26 milionë njerëzve, që morën pjesë në referendum më 1 tetor, kanë votuar për pavarësi dhe ndarje nga Spanja.

Zyrtarët thanë se dalja në votime ishte afro 42%, prej gjithsej 5.34 milionë votuesve të regjistruar.

Përgatiti: Linda Gjokaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG