Ndërlidhjet

Osmani dhe Kurti bisedojnë me Kasanofin për bashkëpunimin Kosovë-SHBA


I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, pritet në një takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtin, 10 tetor.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, pritet në një takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtin, 10 tetor.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, u prit nga liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në takime ndaras të enjten në Prishtinë.

Pas takimit me Kasanofin në zyrën e saj, Osmani tha se Kosova ka nevojë për dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha zyra e Osmanit në një njoftim për media.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të kënaqura me veprimet e autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, duke thënë se ato kanë ndikuar në partneritetin mes dy vendeve.

Uashingtoni i ka cilësuar si të “njëanshme” dhe të “pakoordinuara” vendimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti në veri për ndalimin e dinarit serb, mbylljen e institucioneve paralele serbe dhe synimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, përkundër mospajtimeve për disa çështje.

Pas takimit të enjten vonë, kryeministri Kurti shkroi në Facebook se me Kasanofin "trajtuam një gamë të gjerë temash, me fokus në fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, zgjerimit të bashkëpunimit të dyanshëm dhe sinergjinë në fusha me interes të përbashkët".

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe aleati kryesor i Kosovës.

Zyra e Kurtit tha në një njoftim paraprakisht se kryeministri “trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionarëve të rinj”.

“Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Kasanof po e viziton Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin – ku pritet të zhvillojë konsultime edhe me liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.

Kasanof erdhi në Prishtinë pas një vizite në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë gjatë kësaj jave.

Në Serbi, ai u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi edhe për Kosovën, sipas liderit serb.

"Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe Metohi dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb", ka shkruar Vuçiq më 9 tetor në Instagram.

Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, "pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë".

Ndërkohë, zyra e Kurtit tha se në takimin e tij me të dërguarin amerikan të enjten “u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Por, takim mes udhëheqësve të lartë nuk ka pasur për më shumë se një vit.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Tensionet mes tyre i kanë rritur edhe sulmi i vitit të kaluar në Banjskë dhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

Ndërkohë, në Bosnje, Kasanof pati bisedimeve me Presidencën e Bosnje e Hercegovinës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku përsëriti se SHBA-ja "mbështet fuqishëm integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnje e Hercegovinës".

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, përfshirë sanksionet, në rast të minimit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.

Ai akuzoi presidentin e Republikës Serbe (RS), Millorad Dodik, për sulmet ndaj Bosnje e Hercegovinës dhe u bëri thirrje autoriteteve të këtij entiteti të emërojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga Republika Sërpska dhe t’i zbatojnë vendimet e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG