Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili aktualisht po mbahet në një burg në Hagë për kryerje të krimeve të luftës dhe gjenocidit, do ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit në Britani.
Karaxhiq, 75 vjeç, është dënuar me 40 vjet burgim në vitin 2016, pasi është shpallur fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës.
Në këtë masakër, që ka ndodhur në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.
Në vitin 2019, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara në Hagë e kanë shndërruar dënimin me burg të Karaxhiqit në burgim të përjetshëm.
“Radovan Karaxhiq është një nga të paktët njerëz që është shpallur fajtor për gjenocid. Ai ishte përgjegjës për masakrimin e burrave, grave dhe fëmijëve në gjenocidin e Srebrenicës dhe ndihmoi në rrethimin e Sarajevës”, tha të mërkurën sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab.
Ai shtoi se Britania “duhet të krenohet” që ka mbështetur ndjekjen 30-vjeçare të drejtësisë për ish-udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës.
Karaxhiq është shpallur fajtor edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës nga forcat serbe të Bosnjës, si dhe për mbikëqyrjen e një fushate të spastrimit etnik kundër kroatëve dhe myslimanëve.
Karaxhiq është arrestuar më 18 korrik të vitit 2008 në Beograd, pasi ka kaluar më shumë se një dekadë në arrati.
Ai është dorëzuar në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë dhe pas dënimit është mbajtur në qendrën e paraburgimit të gjykatës në Hagë.