Ndërlidhjet

Kandidati rumun i së djathtës ekstreme lejohet të garojë në zgjedhje


George Simion (në mes) përgatitet për të dorëzuar aplikimin e tij për të garuar në zgjedhjet presidenciale të majit. Bukuresht, 14 mars 2025.
George Simion (në mes) përgatitet për të dorëzuar aplikimin e tij për të garuar në zgjedhjet presidenciale të majit. Bukuresht, 14 mars 2025.

Autoritetet zgjedhore në Rumani i mundësuan udhëheqësit të një partie ultranacionaliste të garojë në zgjedhjet presidenciale të vendit, që do te mbahen në muajin maj.

Vendimi u mor disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën që i ndalon populistit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, pjesëmarrjen në zgjedhje.

Bordi Qendror Zgjedhor e miratoi kandidaturën e George Simionit, udhëheqës i Aleancës për Unitetin e Rumunëve (AUR) dhe aleat i Georgescut, më 15 mars - një ditë pasi Simion paraqiti kërkesën e tij për regjistrim si kandidat.

Simion dhe Anamaria Gavrila, udhëheqëse e Partisë së të Rinjve (POT) të ekstremit të djathtë dhe ish-anëtare e AUR-së, thanë në fillim të kësaj jave se do të përpiqen të hyjnë në garë dhe nëse të dyve u mundësohet, njëri do të tërhiqet.

Gavrila pritej ta dorëzonte aplikimin e saj më 15 mars, kur ishte edhe afati i fundit për ta bërë këtë.

Po këtë ditë, Bordi Qendror Zgjedhor e refuzoi kandidaturën e një tjetër politikaneje të së djathtës ekstreme, kryetares së partisë SOS Rumania, Diana Sosoaca, dhe miratoi kandidaturën e politikanes së qendrës pro-evropiane, Elena Lasconi.

Sosoaca ishte refuzuar edhe kur zgjedhjet u mbajtën në nëntor.

Georgescu, i cili është kritik ndaj NATO-s dhe kundërshton mbështetjen rumune për Ukrainën, ishte fituesi surprizë i më shumë votave në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 nëntor. Simion u rendit i katërti.

Pas atyre zgjedhjeve, inteligjenca rumune tha se aktorë të huaj, me shumë gjasa nga Rusia, kishin manipuluar platformat e mediave sociale, veçanërisht TikTok-un, në favor të Georgescut.

Më 6 dhjetor - derisa pritej balotazhi mes Georgescut dhe Lasconit - Gjykata Kushtetuese i anuloi zgjedhjet presidenciale.

Më pas, ato u caktuan për datën 4 maj, ndërsa balotazhi - nëse do të jetë i nevojshëm - do të mbahet më 18 maj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG