Gati 900,000 shtëpi në jug të Kanadasë kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e stuhive të ashpra që kanë goditur rajonet Ontario dhe Kuebek përgjatë fundjavës.
Shtatë njerëz kanë vdekur nga rënia e drunjve ndërsa një tjetër ka vdekur pas përmbysjes së anijes në Lumin Otava.
Sipas autoriteteve për motin në Kanada, shpejtësia e erërave ka shkuar në 132 kilometra në orë.
Kompanitë e energjisë elektrike kanë thënë se do të duhen disa ditë për të riparuar lidhjet.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë të shtunën në Twitter se Qeveria federale është duke u përgatitur për t’iu ndihmuar banorëve të prekur.
Në disa imazhe të publikuara në rrjetet sociale shihen zjarrfikës dhe punëtorë tjerë që tentojnë të largojnë dhjetëra kabllo të rrymës, të cilat janë shtrirë mbi rrugë dhe makina.
Stuhia e fuqishme ka shkulur drunjtë, ka penguar trafikun si dhe ka dëmtuar shtëpitë.
Ekspertët kanë thënë se stuhia është shkaktuar nga një fenomen i rrallë i quajtur “dereço”.
Ky fenomen shkaktohet kur disa stuhi lëvizëse bëhen bashkë dhe zakonisht kjo gjë ndodh në muajt e verës.