Ndërlidhjet

Harris zotohet për “një rrugë të re përpara”


Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, në Kuvendin Kombëtar të demokratëve.
Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, në Kuvendin Kombëtar të demokratëve.

Associated Press

Nëpresidentja amerikane, Kamala Harris, u bëri thirrje amerikanëve që të refuzojnë ndarjet politike dhe tha se ka shans për “një rrugë të re përpara”. Gjatë pranimit të nominimit të Partisë Demokratike për të garuar për presidente kundër republikanit, Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, Harris u zotua se, nëse zgjidhet, do të jetë presidente për të gjithë amerikanët.

Gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar të demokratëve, nënpresidentja argumentoi se historia e saj personale dhe karriera si prokurore e bëjnë atë person të kualifikuar në mënyrë unike që të mbrojë interesat e amerikanëve kundër ish-presidentin Trump, i cili, sipas Harris, ka në mendje vetëm interesat personale.

“Kombi ynë me këto zgjedhje ka një mundësi të çmuar që të tejkalojë hidhërimin, cinizmin dhe betejat ndarëse të së shkuarës”, tha Harris gjatë fjalimit 40 minutësh.

“Një shans për një rrugë të re përpara. Jo si anëtar të ndonjë partie apo fraksioni, por si amerikanë”, tha ajo në natën përmbyllëse të Kuvendit partiak.

Harris është gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore që pranon nominimin e një partie të madhe për të garuar për Shtëpinë e Bardhë. Nëse zgjidhet, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së.

Harris zotohet se do t’i mbështesë aleatët e SHBA-së, kritikon Trumpin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:16 0:00

Adresimi i saj – dhe Konventa e demokratëve në përgjithësi – synonte që t’iu drejtohej një pjese të madhe të amerikanëve, jo vetëm mbështetësve të partisë së saj, të cilët kanë shprehur mbështetje për të pasi presidenti Joe Biden, hoqi dorë nga gara për rizgjedhje.

Ajo bëri disa thirrje që iu drejtoheshin një numri të madh votuesish që janë të pakënaqur me zgjedhjet e dy partive kryesore për garën për Shtëpinë e Bardhë, veçmas ajo iu drejtua personave që janë të pakënaqur me Trumpin.

“Amerikë, rruga që na solli këtu në javët e fundit, padyshim që ishte e papritur”, tha Harris. “Por, unë nuk e kam për herë të parë një rrugëtim të tillë”.

Gjatë adresimit, ajo foli për jetesën me nënën në një banesë të vogël të San Franciskos, pas shkurorëzimit të prindërve. Ajo po ashtu tregoi historinë e shoqes së saj të ngushtë në shkollën e mesme, Wanda, e cila i kishte treguar Harrisit se po abuzohej nga njerku i saj dhe më pas Wanda shkoi të jetonte me familjen e Kamala Harrisit.

“Kjo histori është një prej arsyeve pse u bëra prokurore. Për të mbrojtur njerëzit sikurse Wanda”, tha Harris.

Duke folur për karrierën e saj si prokurore, më pas si prokurore e përgjithshme e shtetit, senatore dhe tani nënpresidente, Harris tha se “e gjithë karriera ime e ka pasur vetëm një klient: popullin”. Ndërkaq, tha ajo, Trumpi gjithmonë ka vepruar në interes “të vetëm një klienti që ai ka pasur: vetes”.

Gjatë Kuvendit të demokratëve, Harris iu drejtua direkt republikanëve që nuk e mbështesin Trumpin dhe u kërkoi që të lënë anash përkatësinë politike dhe të mos e mbështesin Trumpin.

“E di që shumë njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme politike po na shikojnë sonte. Unë dua që iu ta dini se premtoj se do të jem presidente për të gjithë amerikanët. Premtoj se do të jem presidente për të gjithë amerikanët dhe do të mbroj parimet e shenjta kushtetuese të Amerikës, parimet themeltare, nga sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e lira e deri te transferimi paqësor i pushtetit”, tha ajo.

Duke kujtuar karrierën e saj si prokurore, ajo iu referuar disa herë “qëllimit eksplicit” të Trumpit që të lirojë të gjithë ata që sulmuan policët gjatë sulmit të 6 janarit të vitit 2021 ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan, të burgosë kundërshtarët politikë dhe të përdorë ushtrinë kundër popullit amerikan.

“Vlerësojeni se çfarë synon të bëjë ai nëse vjen sërish në pushtet”, shtoi Harris.

Trump, që thirri në Fox News pas fjalimit të Harrisit, iu përgjigj deklaratave të saj duke pyetur: “Pse ajo nuk i bëri gjërat për të cilat po ankohet”.

“Shumë ankesa. Ajo nuk foli për Kinën. Nuk foli për krimin”, shtoi Trump.

Në fjalimin e saj, që është më i detajuari sa i përket sigurisë kombëtare që kur është bërë kandidate për presidente, Harris u zotua se do të forcojë raportet e SHBA-së me aleatët e NATO-s, duke thënë se shteti do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Trump dhe kandidati i tij për nënpresident, JD Vance, në vazhdimësi kanë vënë në pikëpyetje mbështetje e SHBA-së për Ukrainën.

“Unë kur nuk do të lëkundem nga mbrojtja e sigurisë së Amerikës dhe idealeve sepse në betejën mes demokracisë dhe tiranisë e di se ku qëndron SHBA-ja dhe se ku e ka vendin”, tha ajo.

Ç'politikë të jashtme do të ndiqte SHBA-ja me Kamala Harrisin presidente?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Nënpresidentja po ashtu u zotua se do të punojnë drejt dhënies fund të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – që tha se mund ta stabilizonte pjesën tjetër të rajonit, duke shtuar se nuk do të hezitojë të mbrojë forcat amerikane nga agresioni i Iranit apo i ndonjë armiku tjetër.

Përderisa ajo u zotua “se gjithmonë do të mbrojmë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje” pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe do të punojë për lirimin e pengjeve dhe për armëpushim, ajo foli edhe për civilët palestinezë.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Gazë në 10 muajt e fundit është e tmerrshme, shumë jetë të pafajshme janë humbur”, tha Harris. “Njerëz të uritur e të dëshpëruar që largohen vazhdimisht për të gjetur një strehë të sigurt. Shkalla e vuajtjes është e tmerrshme”, shtoi kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së.

Gjatë adresimit ajo po ashtu u zotua se do të rivendosë vendimin për qasje në abort në mbarë vendin, pasi Gjykata Supreme hoqi të drejtën e mbrojtur kushtetuese për abort. Harris kritikoi Trumpin dhe republikanët që kanë mundësuar ndalimin e abortit në dhjetëra shtete dhe janë zotuar se do ta ndalojnë edhe në shtete të tjera.

Pasi Harris zëvendësoi Bidenin si kandidate për presidente, ajo është përballur me kritika se shmang disa politika specifike. Por, gjatë Kuvendit Kombëtar të demokratëve ajo bëri premtime për disa politika kyçe sikurse zgjerimi i të drejtës së votimit, ulja e kostos së jetesës, fuqizimi i klasës së mesme përmes shkurtimit të taksave dhe për sigurinë e kufirit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG