Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmin në aeroportin e Kabulit.
"Anëtarët e Këshillit të Sigurimit theksuan nevojën që të mbahen përgjegjës organizatorët, financuesit dhe sponsorët e këtyre akteve të dënueshme të terrorizmit dhe të dalin para drejtësisë", thuhet në deklaratën e Këshillit 15-anëtarësh.
KS i OKB-së gjithashtu "përsëriti rëndësinë e luftimit të terrorizmit në Afganistan për të siguruar që territori i Afganistanit të mos përdoret për të kërcënuar ose sulmuar ndonjë vend".
Mediat amerikane raportojnë se numri i të vdekurve nga sulmi jashtë aeroportit të Kabulit është rritur n mbi 170.
CNN dhe CBS News cituan një zyrtar shëndetësor afgan të ketë thënë se numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm, që dallon nga raportimet e mëparshme për rreth 100 viktima.
Një korrespondent i CBS njoftoi se të paktën 200 persona të tjerë u plagosën.
Shteti Islamik (IS), një armik i talebanëve si dhe i Perëndimit, mori përgjegjësinë për sulmin duke thënë se një nga kamikazët e tij vetëvrasës nga filiali i tij, IS-K, kishte në shënjestër "përkthyes dhe bashkëpunëtorë me ushtrinë amerikane".
Sulmi vetëvrasës me bombë që ndodhi më 26 gusht në afërsi të aeroportit të Kabulit la të vrarë edhe 13 trupa amerikane.
Të enjten, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do të hakmerret kundër grupit militant Shteti Islamik.
Sulmi ndodhi vetëm pak ditë para afatit të 31 gushtit për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani.
“Nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t'ju kapim dhe do t'ju bëjmë të paguani”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.