Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka përshëndetur kursin e reformave të Qeverisë së Maqedonisë, por ka thënë se ajo duhet të bëjë ende shumë punë për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pas takimit në Shkup me kryeministrin Zoran Zaev, Juncker ka thënë se i takon Maqedonisë dhe Greqisë që ta zgjidhin kontestin e emrit dhe se në këtë drejtim do të kenë edhe mbështetjen e institucioneve evropiane. Por, në paraqitjen para medieve, ai ka veçuar Aeroportin e Shkupit ku një ditë më parë autoritetet kanë hequr mbishkrimin me emrin “Aleksandri i Madh”, heroit të dy vendeve, pas vendimit të Qeverisë për ndërrimin e emrit të aeroportit, si shenjë e vullnetit të mirë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
“Sa i përket emrit, nuk dua të them asgjë, pasi këtë ju duhet ta zgjidhni me miqtë tuaj grek. Unë kam biseduar me kryeministrit grek Cipras dhe i kam thënë që të qëndrojë në këtë rrugë. Kur arrita në aeroport, vërejta ndryshime, që do të thotë se jeni në rrugë të mirë".
"Nuk jemi këtu që t'ju kumtojmë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, por t'ju themi se jeni në rrugë të mirë dhe nëse vazhdoni në këtë rrugë, do t’i mundësoni Komisionit Evropian që t’i rekomandoj Këshillit nisjen e bisedimeve, por ende nuk kemi ardhur deri aty pasi ke ende punë për të bërë”, ka deklaruar Juncker duke përshëndetur marrëveshjen me Bullgarinë dhe kursin e deritanishëm të reformave.
“Me të vërtet jam i lumtur që vërej se vendi juaj, në veçanti vitet e fundit ka bërë përparime që do t'i mundësojnë edhe më shumë t'i afrohet Bashkimit Evropian. Ju keni bërë reforma që edhe më shumë thellojnë vlerat, me Bullgarinë keni arritur marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që e rrit reputacionin e vendit tuaj. Bëhet fjalë për pajtimin e historisë dhe gjeografisë, për zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare”, ka deklaruar kreu i Komisionit Evropian.
Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se në takimin me presidentin e Komisionit Evropian, është biseduar edhe për strategjinë e re të Komisionit dhe përditshmërinë e Maqedonisë për vazhdimin e reformave dhe zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
“Me strategjinë, Komisioni Evropian konfirmon të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Është me vend përcaktimi se BE-ja duhet të jetë më e fuqishme para se të bëhet më e madhe. Maqedonia është e gatshme të jep kontributin e saj në këtë segment. Ne, gjithashtu riafirmojmë dëshirën dhe përkushtimin tonë të fuqishëm për reforma të thella, pa shtyrje, për arritjen e synimit tonë drejt Bashkimit Evropian...”
“Ne, presim që raporti i Komisionit Evropian të pasqyrojë të arriturat e qeverisë. Raporti pozitiv dhe rekomandimi pa kushte do të ishte një inkurajim i madh për ne për vazhdimin e rrugës së integrimit”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev duke u ndalur më pas në punën, që, sipas tij, po bën Qeveria për zgjidhjen e kontesteve me shtetet fqinje, në veçanti atë të emrit me Greqinë, e cila edhe ka bllokuar procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
“Mbyllja e çështjeve hapura shumëvjeçare nuk është e thjeshtë pasi bëhet fjalë për çështje të ndjeshme për qytetarët tanë. Pas marrëveshjes me Bullgarinë vazhdojmë me një përkushtim serioz për zgjidhjen edhe të kontestit me Greqinë. Së bashku me kryeministrin Cipras po punojmë me përkushtim të madh po punojmë për mbylljen e këtij problemi të rëndë shumëvjeçar, zgjidhja e të cilit do të na hapë rrugën për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, që do të nënkupton perspektivë dhe të ardhme për qytetarët tanë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Facebook Forum