Ndërlidhjet

Juncker: Ballkanit t’i ofrohet perspektivë e besueshme për integrim në BE


 Jean-Claude Juncker
Jean-Claude Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka mbajtur fjalimin e tij vjetor për gjendjen e Unionit para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, në të cilin ka folur për vizionin e tij për të ardhmen e BE-së.

Ai në këtë fjalim përmendi edhe zgjerimin, duke thënë se “nëse duam paqe në fqinjësi, duhet të mbajmë perspektivë të besueshme të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Ai përsëriti se nuk do të ketë zgjerim deri në fund të mandatit të tij, sepse asnjë nga vendet kandidatë nuk do të jetë i gatshëm për anëtarësim. Por, në vitet pas këtij mandati, sipas tij, Bashkimi Evropian do të ketë më shumë se 27 anëtarë, sa ka aktualisht.

Juncker rikujtoj se shtetet kandidate duhet t’i përmbushin kriteret, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Kjo, sipas tij, do të thotë se Turqia, nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt, sepse nuk respekton vlerat e lirisë dhe sundimin e ligjit. Ai ftoi Turqinë që t’i lirojë të gjithë gazetarët evropian që mban në arrest, por edhe të gjithë gazetarët tjerë. Po ashtu, ka ftuar Turqinë që t’i ndërpresë akuzat për fashizëm ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Presidenti i Komisionit Evropian, duke folur për largimin e Britanisë së madhe nga BE-ja tha se ky shtet do të pendohet për një veprim të tillë. Ai tha se pranvera e vitit 2019, kur Britania do të duhej të largohej nga BE-ja, do të jetë një datë tragjike. Por, shtoi ai, Evropa e 27 vendeve anëtare, do ta shfrytëzojë këtë rast për të ndërtuar një të ardhme të qartë të Bashkimit Evropian.

Juncker bëri ftesë për më shumë solidaritet rreth migrimit dhe ftoi që të gjithë ata, të cilët nuk i përmbushin kushtet për strehim në BE të kthehen në vendet e tyre. U bëri ftesë shteteve anëtare që më shpejt të shkëmbejnë të dhënat për luftëtarët e huaj dhe të dyshuarit për terrorizëm.

Për të pasur më shumë efikasitet në politikën e përbashkët të jashtëm BE-ja duhet të ketë edhe disa fusha ku vendimet në Këshill do të miratohen me shumicë të kualifikuar e jo vetëm me konsensus.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG