Ndërlidhjet

Joseph: Zgjedhjet në Kosovë janë edhe referendum


Edward Joseph, profesor i Universitetit “John Hopkins”.
Edward Joseph, profesor i Universitetit “John Hopkins”.

Zgjedhjet në Kosovë do të jenë pjesërisht edhe referendum për disa çështje siç është “shkëmbimi i territoreve”, ka thënë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Edward Joseph, profesor i Universitetit “John Hopkins”, i cili ka qenë edhe pjesëmarrës në misione të ndryshme në Ballkan gjatë dhe pas luftërave të viteve të 90-ta.

“Serbia është në një situatë tjetër, sepse pozicioni i presidentit Aleksandar Vuçiq është shumë i fuqishëm. Ai kontrollon Qeverinë, ka një ndikim të madh në media, gëzon mbështetjen e Rusisë. Pra, ai ka një pozicion shumë të fortë që i lejon atij të arrijë një marrëveshje për Kosovën”, ka thënë Joseph.

Joseph thotë në këtë intervistë se ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është një skenar i rrezikshëm që nuk do të zgjidhë mosmarrëveshjen në raportet mes tyre.

“Përkundrazi, do ta komplikonte situatën, do t’i jepte fund pranisë së serbëve në jug të Kosovës, duke rrezikuar statusin e Deçanit, Graçanicës dhe pasurive të tjera të rëndësishme serbe. Kjo menjëherë do të hapte çështje më të gjera rajonale, siç është statusi i Sanxhakut dhe Republikës Serbe”.

Megjithatë, analisti amerikan, vlerëson se për çështjen e ndryshimit të kufijve, ka qëndrime të ndryshme në Uashington.

“Për shembull, për dallim nga Bolton ( John Bolton- këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë) ekziston një pozicion tjetër i Departamentit të Shtetit, i cili thekson se çdo zgjidhje për Kosovën duhet të marrë parasysh stabilitetin rajonal, dhe shkëmbimi i territoreve sigurisht nuk kontribuon në stabilitetin e Ballkanit”, tha Joseph, duke shtuar se tashmë Bolton ka sinjalizuar se e mbështet ndryshimin e kufijve si zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur për ndikimin që mund të ketë dorëheqja e Ramush Haradinajt në dialogun Kosovë-Serbi, Joseph tha se e ardhmja politike e Haradinajt është në duart e Gjykatës në Hagë.

“Së pari, e ardhmja politike e ish-kryeministrit Haradinaj tani është në duart e Tribunalit të Hagës. Ai së pari përballet me çështje ligjore përpara se të përqendrohet në çështje politike”, ka thënë Joseph.

Joseph: “Një qeveri kalimtare do të mund të pezullonte tarifën”

I pyetur të komentojë opinionet se thirrja që i është bërë Haradinajt nga Haga - edhe pse dy herë ka qenë i liruar nga Tribunali I Hagës – është formë e presionit që Perëndimi e bën ndaj tij, analisti amerikan tha:

“Ky është në një masë të madhe spekulim, që është tipike për Ballkanin ku përhapen teoritë e komplotit – edhe kur bëhet fjalë për institucione të gjyqësisë që duhet të jenë plotësisht të pavarura nga ndikimet politike”, thotë Joseph.

Lidhur me qëndrimet e ndryshme për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe, Joseph thotë se kanë ekzistuar mospajtime ndërmjet Prishtinës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat gjithashtu kanë kërkuar heqjen e saj.

“Në këtë kuptim edhe një qeveri kalimtare do të mund të pezullonte tarifën me kushte të caktuara, përfshirë edhe gatishmërinë e Beogradit për të kontribuar në zhvillimin pozitiv dhe suksesin e dialogut”, ka thënë Joseph.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG