Ndërlidhjet

BE: Rrjedhjet në tubacionet ruse, akte të qëllimshme


Rrjedhjet e gazit nga tubacioni Rrjedha Veriore 2 në Detin Baltik. 27 shtator 2022.
Rrjedhjet e gazit nga tubacioni Rrjedha Veriore 2 në Detin Baltik. 27 shtator 2022.

Bashkimi Evropian beson se rrjedhjet në dy tubacionet nënujore të gazit rus që ndodhën gjatë kësaj jave, “nuk janë rastësi”, por ka tregues se janë “akte të qëllimshme”, tha shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell.

Duke shprehur “shqetësim të thellë” për rrjedhjet në Rrjedhën Veriore 1 dhe 2, ai bëri thirrje për hetim. Borrell shtoi se “të gjitha informacionet e deritanishme lënë të kuptohet se këto rrjedhje janë si rezultat i akteve të qëllimshme”.

*Video: Rrjedhjet e gazit nën Baltik

Deklaratat e Borrellit vijnë pasi sizmologët nga Suedia dhe Danimarka thanë se kanë regjistruar shpërthime të fuqishme në zonat afër ku ka pasur rrjedhje nga tubacionet e Rrjedhës Veriore në Detin Baltik. Policia suedeze ka nisur hetim për një sabotim të mundshëm.

“BE-ja është thellësisht e shqetësuar lidhur me dëmin që kanë shkaktuar rrjedhjet nga gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 dhe 2 në ujërat ndërkombëtare të Detit Baltik”, tha Borrell.

“Këto incidente nuk janë aspak të rastësishme dhe na prekin të gjithë ne”, shtoi ai.

Sipas shefit të politikës së jashtme të bllokut, çdo ndërhyrje e qëllimshme në infrastrukturën e energjisë evropiane është e papranueshme dhe do të pasohet me “përgjigje të fuqishme dhe të unifikuar”.

Një zëdhënës tha se Policia suedeze ka “krijuar një raport dhe ky krim është cilësuar si sabotim”.

Rrjedhjet në tubacionet ruse kanë rritur frikën sa i përket krizës në rritje energjetike, teksa shtetet perëndimore po largohen nga furnizimet energjetike ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Ndërkaq, këshilltari presidencial ukrainas, Mikhaylo Podolyak, tha se rrjedhjet e gazit ka të ngjarë që janë shkaktuar “nga një akt terrorist” i kryer nga Moska.

Moska kishte ulur furnizimet me gaz për në Evropë përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1. Ndërkaq, në gusht ndërpreu të gjitha furnizimet nga ky tubacion, duke thënë se sanksionet perëndimore kanë shkaktuar probleme teknike.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 është i kompletuar, por Gjermania hoqi dorë nga plani për ta funksionalizuar këtë tubacion, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Megjithatë, të dy këta gazsjellës kanë gaz nën presion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG