Shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jan Fosse e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi këtë vit.
Akademia Suedeze në Stokholm i ka vlerësuar dramat dhe prozën e tij novatore dhe ka thënë se autori u ka dhënë zë të pathënave.
Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Jon Fosse ka thënë se është "i tronditur dhe disi i frikësuar” që e ka fituar këtë çmim prestigjioz.
Ky çmim e ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve amerikanë.
Akademia Suedeze ka thënë se Fosse, i lindur më 1959 në Haugesund, në brigjet perëndimore të Norvegjisë, ka krijuar në shumë zhanre letrare, përfshirë novela, koleksione poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime.
Ai është bërë i njohur si dramaturg me veprën "Nokon kjem til å komme" ( Dikush do të vijë).
Fosse, 64-vjeçar, i cili shkruan në versionin më të pazakonshëm të dy versioneve zyrtare të gjuhës norvegjeze, ka thënë se e konsideron çmimin si njohje të gjuhës që përdor dhe lëvizje për promovim të saj, duke thënë se Nobelin ia dedikon vetë asaj.
E njohur si “norvegjishtja e re” dhe e përdorur nga rreth 10 për qind e popullsisë së Norvegjisë, versioni që përdor Fosse është krijuar në shekullin e 19-të në zonat rurale, duke e bërë atë alternativë ndaj gjuhës daneze që është përdorur përgjatë një bashkimi 400-vjeçar me Danimarkën.