Ndërlidhjet

Johnson: SHBA-të nuk kanë vija të kuqe ashtu siç ka Gjermania


Senatori amerikan Ron Johnson
Senatori amerikan Ron Johnson

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të diktojnë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë dhe se një gjë e tillë duhet të vijë nga këto dy vende, ka thënë Ron Johnson, senator amerikan dhe kryesues i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Duke folur gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Johnson ka thënë se vendi i tij nuk ka vënë vija të kuqe se për çfarë mund të diskutojnë Kosova dhe Serbia, ashtu siç ka bërë Gjermania. Ai tha se Uashingtoni do të pres nga liderët në Serbi dhe Kosovë që të gjejnë vetë një zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi jeni duke sjellë tash në vizitën tuaj në disa vende të Ballkanit Perëndimor?

Ron Johnson: Tash është një moment i mirë këtu për stabilitet, për paqe dhe prosperitet te madh. Dy ditë isha në Greqi, në mëngjes në Maqedoni, në mbrëmje në Kosovë dhe tash në Serbi. Greqia dhe Maqedonia tash kanë një mundësi të mirë për ta zgjidhur një konflikt të vjetër 27 vjeçar për ndryshimin e emrit. Ju keni dy kryeministra, të cilët unë i quaj shumë guximtarë, po shikojnë se çka është më e rëndësishme për njerëzit. Mendoj se ky lloj shembulli mund të përdorët këtu mes Serbisë dhe Kosovës të cilët janë të përfshirë në biseda shumë serioze për të zgjidhur problemet e vjetra.

Radio Evropa e Lirë: Që nga vizita e fundit e juaj që ishit në Serbi në muajin shkurt ka ndodhur një gjë që askush nuk e priste. Tash ka diskutime për mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. A është kjo e pranueshme për zyrtarët amerikanë?

Ron Johnson: Ne tashmë kemi thënë disa herë se zgjidhja, e cila nuk do të jetë e lehtë, duhet të vijë nga palët e përfshira, nga liderët dhe njerëzit nga Serbia dhe Kosova. SHBA-të janë këtu për të përkrahur dhe inkurajuar një zgjidhje. Ne duam t’u japim këtyre liderëve hapësirë që të jenë fleksibilë. Të jenë imagjinarë. Të mendojnë jashtë kutisë se si mund ta zgjidhin këtë problem shumë të vështirë. Unë jam këtu për të ofruar këtë lloj mbështetje dhe inkurajimi.

Senatori amerikan Ron Johnson gjatë vizitës në Beograd
Senatori amerikan Ron Johnson gjatë vizitës në Beograd

Vijat e kuqe

Radio Evropa e Lirë: Cila është përshtypja e juaj: a janë zyrtarët kosovarë dhe ata serbë seriozë për këtë ide se ndarja mund të jetë zgjidhje për një problem të vjetër prej tri dekadash?

Ron Johnson: Unë mendoj se ata janë seriozë për ta gjetur një zgjidhje. Po them përsëri, ne nuk do të imponojmë asgjë. Kjo do të duhet të vijë nga bisedimet. Unë i kuptoj shqetësimet e njerëzve dhe këto shqetësime janë legjitime nëse këto bisedime mund të ketë ndonjë efekt domino. Ne do t’ua lëmë këtë liderëve në Serbi dhe Kosovë ta gjejnë atë zgjidhje, ne do ta shikojmë atë zgjidhje dhe do të ngremë zërin tonë për ndonjë shqetësim në kohën e duhur.

Radio Evropa e Lirë: Ka shumë ekspertë, aktivistë, analistë të politikës që haptas paralajmërojnë për mundësitë negative që mund të ketë në gjithë rajonin e Ballkanit ndryshimi i kufijve. Si i komentoni këto?

Ron Johnson: Përsëri po them se këto janë shqetësime legjitime. Unë mendoj se edhe liderët e Serbisë dhe Kosovës i dinë këto shqetësime dhe ato duhet të merren parasysh në çfarëdo lloj zgjidhje. Por, prapë po e them, unë nuk jam këtu për të diktuar çka duhet biseduar, çka duhet të kihet parasysh ose se cila duhet të jetë zgjidhja finale. Ne jemi këtu vetëm për ofruar mbështetje dhe inkurajim.

Radio Evropa e Lirë: Disa vende, posaçërisht Gjermania është kundër ndryshmit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Cili është dallimi mes Gjermanisë dhe SHBA-së?

Ron Johnson: Shihet qartë se ata kanë vizatuar një vijë të kuqe. Do të thosha se ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne e mbështesim dialogun e drejtuar nga BE-ja për t’i sjellë të dy palët të bisedojnë së bashku. Ne e mbështetim këtë dialog dhe unë nuk kam vendosur ndonjë vijë të kuqe.

Millosheviq nuk ishte lider i madh serb

Radio Evropa e Lirë: Ju keni parë që presidenti serb Vuçiq ishte për këtë fundjavë në Kosovë. Gjatë një fjalimi në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës ai tha se: “Sllobodan Milosheviq ishte një lider i madh Serb”. Kjo ka shkaktuar shumë komente negative nga i gjithë rajoni. Çka mendoni për këtë, për mënyrën si është përshkruar Sllobodan Milosheviqi?

Ron Johnson:​ Fillimisht jam i kënaqur që presidenti Vuçiq mund të shkonte në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Vetëm në veri të Kosovës.

Ron Johnson: E di, por vizita kryesisht kaloi pa incidente. Ai pati mundësi t’i shpreh qëndrimet e tij. Unë nuk kam pasur shansin ta dëgjoj të gjithë fjalimin dhe nuk mund të komentoj pa e lexuar fjalimin, kontekstin dhe të gjitha ato që ai i ka thënë?

Radio Evropa e Lirë: Por, a jeni të befasuar më këtë përfundim?

Ron Johnson: Kjo nuk është mënyra se si do ta kisha përshkruar Millosheviqin.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta përshkruani Millsheviqin?

Ron Johnson: Nuk do ta përshkruaj si lider i madh.

Referendumi në Maqedoni mund të ketë sukses

Radio Evropa e Lirë: Çfarë pritje keni për referendumin në Maqedoni?

Ron Johnson: Unë jam i inkurajuar pas bisedimeve me kryeministrin Zaev dhe po ashtu me liderët e opozitës, saktësisht me deputetët e opozitës. Ata po i inkurajojnë qytetarët e Maqedonisë që të dalin dhe ta përdorin të drejtën e tyre për të votuar. Ju keni të drejtën për të votuar dhe do të ishte turp po mos të përdorej kjo e drejtë. Të gjithë besojmë se do të kalojë dhe shpresojmë se nuk do të ketë bojkot, por do të ketë një dalje masive, kjo do të ishte gjëja e më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për influencën rusë në këtë rajon. Ku e shihni këtë influencë, ose pjesë negative të kësaj influence në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë?

Ron Johnson: Kjo është për të ardhur keq. Unë do dëshiroja që Rusia ta pranonte shtrirjen e dorës nga ana e perëndimit në mënyrë që ta integronte ekonominë e saj me atë të perëndimit. Ta ndalojë agresionin, pushtimin e Gjeorgjisë, okupimin ilegal të Krimesë, pushtimin në Ukrainë si dhe përzierjen në politikë në këtë rajon si dhe po ashtu edhe në vendin tim.

Do të doja, do të doja që Rusia mos të ishte me keq se sa një shok rival, por fatkeqësisht ata janë më keq se sa kundërshtarë. Sa i përket Evropës lindore ata nuk ofrojnë asgjë as i përket prosperitetit ekonomik. Ata destabilizojnë situatën. Unë shpresoj se Vladimir Putin do të ndryshojë dhe të mendoj se kursi më i mirë për Rusinë është bashkëpunimi.

Radio Evropa e Lirë: A jeni të shqetësuar për raportet që Rusia ka bërë me Organizata të Krahut të Djathtë këtu në Serbi të cilat demonizojnë NATO-n, demonizojnë multikulturalizmin? Cili është komenti juaj, a është kjo shumë e rrezikshme për stabilitetin rajonal?

Ron Johnson: Është shumë e rrezikshme për stabilitetin rajonal. Sërish, në këtë pikë, Rusia nuk është duke ofruar asgjë pozitive, janë një influencë kancerogjene. Ata mund të ofrojnë vetëm destabilizim. Nëse shikoni Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, perëndimin, këto ekonomi përfaqësojnë tridhjetë trilionë dollarë aktivitet ekonomik, derisa Rusia më gjasë është më pak se dy trilionë. Sërish, e ardhmja ekonomike, e Serbisë, Ballkanit dhe Evropës lidhet me demokracitë perëndimore.

Rusia nuk ofron asgjë, vetëm destabilitet për rajonin

Radio Evropa e Lirë: A pajtoheni me ekspertët që thonë se Rusia e sheh Ballkanin si fushëlojë për të testuar kufijtë e të mundshmes?

Ron Johnson: Kjo mund të jetë ajo që ata po bëjnë. Personalisht mendoj se janë duke provuar që të destabilizojnë. Ata nuk ofrojnë asgjë më shumë.

Radio Evropa e Lirë: Në gusht 2018, ju i keni sugjeruar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që t’i rezistojë kërkesës së Rusisë sa i takon Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish, që të mos i japin imunitet diplomatik stafit të qendrës. Deri sot nuk është dhënë ky lloj imuniteti. A besoni se Vuçiq ka pranuar sugjerimin tuaj?

Ron Johnson: Unë mendoj se presidenti Vuçiq ka marrë vendimin e tij. Jam i lumtur që ishte këshilla ime dhe ne e vlerësojmë faktin se ai nuk u ka dhënë imunitet diplomatik për atë që quhet “Qendër Humanitare”.

Radio Evropa e Lirë: Cili është shqetësimi juaj më i madh sa i takon qendrës në Nish?

Ron Johnson: Në të vërtetë ajo nuk është një Qendër Humanitare, ajo u ndërtua si bazë për ta destabilizuar më shumë rajonin.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni kështu?

Ron Johnson: Sepse besoj se është një arritje e madhe e Rusisë dhe Putinit.

Radio Evropa e Lirë: A do të vizitojë presidenti Donald Trump Serbinë, bazuar në mediat lokale pro qeveritare, ai do të vijë në Ballkan deri në fund të 2018?

Ron Johnson: Nuk e kontrolloj agjendën e tij. Do të doja ta shihja këtë duke ndodhur. Sërish, arsyeja pse unë jam këtu, shumë politikanë amerikanë dhe anëtarë të kësaj administrate janë duke i kushtuar vëmendje Serbisë dhe Ballkanit, sepse siç e dimë, është një kohë kur gjëra shumë të mira mund të ndodhin dhe ne duam t’i inkurajojmë dhe mbështesim këto gjëra të mira.

Radio Evropa e Lirë: Donald Trump ka befasuar shumë njerëz në Ballkan me komentin e tij për malazezët se janë njerëz agresivë që mund të shkaktojnë luftën e tretë botërore. A mund të ju pyes për komentin tuaj mbi këtë deklaratë?

Ron Johnson: Unë isha zëvendëskryetar në komisionin që mbajti dëgjimin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Pra unë kam mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Unë e shoh Malin e Zi si mik dhe aleat.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ju pyes nëse presidenti Trump e ka thënë seriozisht?

Ron Johnson: Ju duhet të flisni me Donald Trump për këtë.

Përgatiti: Shkëlqim Hysenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG