Ndërlidhjet

Hahn kërkon që Maqedonia të zbatojë reformat prioritare


Johannes Hahn dhe Zoran Zaev, 26 qershor 2017
Johannes Hahn dhe Zoran Zaev, 26 qershor 2017

Jam i kënaqur për klimën e krijuar pozitive, sa i përket perspektivës integruese të Maqedonisë”, theksoi Komisionari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, Johannes Hahn, gjatë vizitës së tij në Shkup.

Porosia ime për të gjithë këtu është të përqendroheni në detyrat që priten për tu realizuar. Të gjitha palët të cilat janë përgjegjëse përfshi këtu edhe opozitën, gjyqësorin dhe të gjitha institucionet relevante, të koncentrohen në ndërtimin e një shoqërie moderne e cila do të funksionojë dhe një shtetet i cili do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve”, tha Hahn.

Ai në Shkup i porositi zyrtarët e Qeverisë së re të Maqedonisë që me ngulm të përkushtohen në realizimin e reformave nëse dëshirojnë që Maqedonia të bëhet pjesë e familjes evropiane, duke vendosur theksin mbi drejtësinë.

Rekomandimi për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, është ngushtë i lidhur me dinamikën e realizimit të reformave të apostrofuara, si detyrim për vendin në raportin e KE-së dhe atë të Pribesë”, tha komisionari Hahn, duke nënvizuar se agjenda reformuese, duke filluar që nga dita e nesërme (e marta ), do të ndihmohet edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se në kuadër të mbledhjes tematike të Qeverisë së Maqedonisë, kushtuar prioriteteve reformuese për integrimin e vendit, Qeveria e Maqedonisë bashkë me euro-komisarin Hahn, ka precizuar një dokument punues i cili do të jetë gati deri më 1 korrik, që ka të bëj me reformat të cilat janë më me prioritet, siç është sundimi drejtësisë, lirinë e mediave etj.

Ky dokument i quajtur ‘udhërrëfyes’, del nga Marrëveshja e Përzhinës dhe rekomandimet e Pribesë. Prania e komisionarit Hahn paraqet sinjal të fuqishëm në vend, për integrimin tonë në Bashkimin Evropian”, tha Zaev, duke shtuar se qëllimi i këtij dokumenti është që Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Zaev ftoi opozitën të mbështet këtë dokument.

Kryeministri maqedonas, në kuadër të mbledhjes tematike të Qeverisë, ku të pranishëm ishin dhe diplomatët e lartë të Brukselit, komisionari Hahn dhe ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar, tha se qytetarët e Maqedonisë meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane.

Kjo Qeveri ka marrë përsipër obligim serioz për të treguar para Bashkimit Evropian por edhe para vetes, se Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, meritojnë t`i bashkëngjiten botës së civilizuar demokratike nga e cila kish mbetur larg”, tha Zaev në fillim të mbledhjes tematike të Qeverisë.

Zaev nuk dha përgjigje konkrete nëse ligji që avancon përdorimin e gjuhës shqipe do të vendoset ose jo në ligjet me prioritet si pjesë e veprimit të Qeverisë së re, për të përshpejtuar integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Ndryshe, nxitja e reformave që Brukseli pret të zbatohen në afat sa më të shkurtër kohor,me qëllim që Maqedonia sa më shpejtë të kthehet në rrugën e integrimeve euro-atlantike ka qenë temë debati edhe në takimin që gjatë ditës ka realizuar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani si dhe shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov me delegacionin e Bashkimit Evropian, të kryesuar nga komisari evropian Johannes Hahn .

Komisionari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, Johanes Hahn, ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në kompilimin e marrëveshjes politike të Përzhinos, e cila kontribuoi që vendi të dalë nga kriza pas publikimit të bisedave të përgjuara.

Në ndërkohë në Maqedoni nga e premtja është duke qëndruar edhe eksperti gjerman, ish-drejtor i Drejtorisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian Rajnhard Priebe, i cili për disa ditë me radhë do të realizojë takime intensive me zyrtarët e lartë të vendit dhe drejtuesit e institucioneve, për të definuar kapacitet e realizimit të reformave si dhe për planin veprues të Qeverisë për zbatimin e tyre.

Raporti i Pribesë, i hartuar para dy vjetësh, identifikoi më shumë pika nevralgjike që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e shtetit juridik, parregullsitë në procesin zgjedhor si dhe lirinë e medieve në Maqedoni, pika këto në të cilat pritet të fokusohet Qeveria e re e Maqedonisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG