Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për herë të parë e ka quajtur “kriminel lufte” presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Deri më tani, administrata Biden kishte shmangur përdorimin e kësaj fraze.
Duke folur për gazetarët pas një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë të organizuar të mërkurën, Biden tha: “Mendoj se ai është kriminel lufte”.
Pas komenteve të presidentit Biden për Putinin, agjencia ruse e lajmeve TASS, raportoi se Kremlini i ka cilësuar këto deklarata të presidentit amerikan si të “papranueshme dhe një retorikë e pafalshme”.
Më herët gjatë të mërkurës, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA-ja po “shikonte me kujdes” për të përcaktuar nëse forcat ruse po sulmojnë me qëllim caqe civile.
Ukraina i ka kërkuar Gjykatës në Hagë që ta hetojë Rusinë për krime lufte.
E pyetur që të shpjegojë më tej komentet e presidentit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Biden “po fliste nga zemra dhe po fliste nga ajo që ka parë në televizion, që janë veprime barbare nga një diktator brutal përmes pushtimit të tij të një shteti të huaj”.
Megjithatë, ajo shtoi se “një proces ligjor” për të hetuar pretendimet e krimeve të luftës “po vazhdon në Departamentin amerikan të Shtetit”.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.