Ndërlidhjet

Biden: SHBA-ja nuk frikësohet nga kërcënimet e Putinit


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Rusinë se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga kërcënimet e pamatura, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, aneksoi katër rajone të pushtuara të Ukrainës.

Putin la të kuptohet se do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur territoret që aneksoi. Ai deklaroi se rajonet do të ishin “përgjithmonë” pjesë e Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aneksimi ishte “përshkallëzimi më serioz që nga nisja e luftës” më 24 shkurt.

Gjatë një fjalimi më 30 shtator, lideri rus pretendoi se qytetarët në Herson, Zaporizhja, Luhansk dhe Donjeck, kishin votuar “për t’iu bashkuar atdheut të tyre”. Ai iu referua referendumeve të rreme që u mbajtën në këto katër rajone nga 23 deri më 27 shkurt. Por, Ukraina dhe Perëndimi i kanë dënuar këto votime, duke i quajtur të rreme.

*Video: Nënshkrimi i dokumentit për aneksimin e rajoneve ukrainase

Putin nënshkruan aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Por, shumica e fjalimit të Putinit ishte për ta sulmuar Perëndimin. Ai tha se SHBA-ja ka krijuar “precedent” me përdorimin e armëve bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Javën e kaluar, Putin po ashtu kishte thënë se shteti i tij ka “armë të ndryshme të shkatërrimit në masë” dhe se “do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, duke shtuar se “ky nuk është blof”.

Kremlini ka thënë se çdo sulm mbi rajonet që ka aneksuar do të shihet si sulm ndaj territorit rus, duke përshkallëzuar luftën.

Por, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se deklaratat e homologut të tij rus janë “fjalë të pamatura dhe kërcënime”, por shtoi se Putin “nuk do të na frikësojë”.

“Amerika dhe aleatët e saj nuk do të frikësohen”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Ai më pas iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus, duke bërë me gisht drejt kamerës.

“Amerika është e përgatitur plotësisht, me aleatët tanë në NATO, për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha ai.

“Zoti Putin, mos keqkupto çfarë po them: Çdo centimetër”.

Pak kohë pas këtij fjalimi, këshilltari kryesor i sigurisë kombëtare të SHBA-së, tha se ka shanse që Moska të përdorë armë bërthamore, por deri më tani nuk duket se ka kërcënim të menjëhershëm.

Pas njoftimit të Putinit për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se shteti i tij ka nisur një procedurë të përshpejtuar për t’iu bashkuar NATO-s.

Por, shefi i NATO-s Stoltenberg tha se vendimi për pranimin e një shteti të ri u takon të 30 anëtarëve të aleancës.

Ai po ashtu shtoi se NATO nuk do të njohë aneksimin e territoreve të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Edhe më 2014, Rusia kishte aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, pas një të ashtuquajturi referendum. Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk njohin rezultatet e referendumeve të mbajtura në Krime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG