Hetuesit e Departamentit amerikan të Drejtësisë kanë gjetur gjashtë dokumente shtesë të klasifikuara gjatë kontrolleve 13 orëshe në shtëpinë e presidentit Joe Biden në Delauer, tha avokati i presidentit.
Disa prej dokumenteve që janë gjetur në pronën në Uillmington të premten, datonin nga koha kur Biden ishte senator, ndërkaq të tjerat i përkisnin periudhës kur ai shërbeu si nënpresident në administratën e Barack Obamës.
Avokati Bob Bauer tha se “shënime të shkruara personalisht me dorë” dhe “materiale të tjera” po ashtu janë marrë nga autoritetet.
Biden dhe gruaja e tij nuk ishin prezent në shtëpi në kohën kur u bënë kontrollet.
Presidenti amerikan Biden ofroi qasje “në shtëpinë e tij në mënyrë që Departamenti i Drejtësisë të kryente kontrolle të të gjithë pronës për të gjetur dokumente të mundshme të kohës kur Biden ishte nënpresident apo dokumente të mundshme të klasifikuara”, tha Bauer përmes një deklarate të publikuar të shtunën.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, po përballet me një hetim penal nën dyshimet se nuk ka mbajtur në mënyrë jo të duhur dokumentet e klasifikuara.
Më herët gjatë këtij muaji, avokatët e Bidenit njoftuan se më 2 nëntor kishin gjetur grupin e parë të dokumenteve të klasifikuara. Këto materiale ishin zbuluar në Qendrën Penn Biden, një institut që presidenti amerikan kishte themeluar në Uashington.
Grupi i dytë i dokumenteve u gjet më 20 dhjetor në garazhin e shtëpisë së tij në Uillmington, ndërkaq një tjetër dokument u gjet në depon e shtëpisë së tij më 12 janar, thanë avokatët e presidentit.
Pasi u zbuluan dokumentet, Biden tha se ekipi i tij menjëherë i dorëzoi në Arkivat Kombëtare dhe në Departamentin e Drejtësisë. Ende është e paqartë se pse Biden i kishte mbajtur këto dokumente.
Sipas ligjeve, dokumentet e Shtëpisë së Bardhë duhet t’i dorëzohen Arkivave Kombëtare sapo të mbarojë mandatin një administratë.
Këshillltari i posaçëm, Robert Hur, është emëruar për të udhëhequr hetimet sesi ishin mbajtur këto dokumente të ndjeshme.
Gjetja e dokumenteve shtesë dhe hetimit të gjatë mund të jetë një kokëçarje politike për Bidenin, i cili pritet të deklarohet nëse do të garojë edhe për një mandat presidencial.
Ekipi i Bidenit ka thënë se presidenti po bashkëpunon me Departamentin e Drejtësisë për këtë çështje.
Zbulimi i dokumenteve vjen teksa ish-presidenti Trump po hetohet për mënyrën se si ka mbajtur qindra dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Florida, pasi kishte refuzuar që t’i dorëzonte ato.
Trump dhe avokatët e tij kishin rezistuar që t’i dorëzonin dokumentet deri kur Byroja Federale e Hetimeve (FBI) bastisi shtëpinë e tij në Florida në gushtin e kaluar. Ai ka argumentuar se FBI-ja po e trajton në mënyrë më favorizuese Bidenin.