Zhurma e shpërthimeve dhe alarmeve është bërë aq rutinë në veriun e Izraelit sa që disa vendas që kanë mbetur ende aty, mezi reagojnë kur i dëgjojnë.
"Është shumë - shumë zhurmë", tha David Amzel, pronar i një furre buke në vendbanimin Gesher Haziv, që ndodhet vetëm 5 kilometra larg kufirit me Libanin.
"Por, të jem i sinqertë me ju, unë i shoh njerëzit ulur në furrë duke pirë kafenë e tyre, dhe pastaj ndodh një ‘boom’ i fortë dhe njerëzit as që lëvizin", tregoi ai.
Amzel vazhdon të zgjohet në orën 2:45 të mëngjesit çdo ditë për të vënë bukën në furrë, por aktiviteti i biznesit nuk ka qenë aspak i zakonshëm që nga sulmi mbi Izraelin një vit më parë i grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Lufta hakmarrëse e Izraelit në Rripin e Gazës, të udhëhequr nga Hamasi, është shoqëruar me sulme të përditshme raketore ndërkufitare nga Hezbollahu - grup i armatosur dhe parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të jugut të Libanit.
Sulmet me raketa të Hezbollahut bënë që Qeveria izraelite të urdhërojë evakuimin e të gjithë banorëve që ndodhen disa kilometra larg kufirit të veriut. Lëvizja fillimisht zhvendosi 60.000 njerëz dhe krijoi një zonë të mbyllur ushtarake që shtrihet 120 kilometra nga Deti Mesdhe deri në Lartësitë e aneksuara të Golanit.
Ndërsa fshati Gesher Haziv ndodhet jashtë zonës së evakuimit, shumë banorë u larguan vullnetarisht nga vendbanimi që dikur ishte shtëpi për rreth 1.000 njerëz.
Amzel dhe familja e tij me katër anëtarë ishin ndër ata që zgjodhën të qëndrojnë, pjesërisht për të mbajtur biznesin e tyre. Por tani, pas përfundimit të ditës së tij të zakonshme të punës në orët e para të pasdites, Amzel ka detyra shtesë – ruajtjen e portave të vendbanimit deri në orën 6 pasdite si pjesë e një ekipi të reagimit emergjent.
Kërcënimi nga sulmet ndërkufitare të Hezbollahut – i konsideruar një grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse BE-ja e ka shpallur të paligjshëm vetëm krahun e tij të armatosur – vazhdon të jetë i madh.
Dhe, që nga pushtimi tokësor i Izraelit në jug të Libanit në fillim të këtij muaji dhe sulmet ajrore të vazhdueshme në të gjithë vendin, Hezbollahu e ka rritur intensitetin dhe shtrirjen e sulmeve të tij me raketa, duke synuar qytete deri në jug të Haifës dhe duke zhvendosur dhjetëra mijëra izraelitë të tjerë.
Amzel e përshkroi situatën në Gesher Haziv – që ndodhet përgjatë Detit Mesdhe – në një intervistë telefonike më 9 tetor, ku në sfond dëgjoheshin zërat e dy fëmijëve të tij, zhurma e armëve të lëshuara nga Marina e Izraelit dhe alarmet që paralajmëronin për sulme të afërta.
Ai tha se vendasit mbështeten shumë në aplikacionet e telefonit që sinjalizojnë për sulme të ardhshme me raketa dhe, nëse janë në vijën e zjarrit, vrapojnë drejt strehimoreve nga bombat – përfshirë ato të lëvizshme të vendosura në rrugë – ose dhomave të sigurta në shtëpi.
"Njerëzit nuk duan të ecin, të qëndrojnë jashtë shumë. Ata shkojnë në punë, kthehen, qëndrojnë me fëmijët e tyre", tha ai.
Po atë ditë, Hezbollahu mori përgjegjësinë për një sulm që përfshinte rreth 150 raketa që vranë dy persona që po shëtisnin qenin e tyre në Kiryat Shmona, një orë larg me makinë në verilindje.
Sipas zyrtarëve izraelitë, sulmet me raketa të Hezbollahut kanë vrarë dhjetëra njerëz në veriun e Izraelit gjatë vitit të fundit.
Qyteti Kiryat Shmona, i cili ndodhet brenda zonës së evakuimit, kishte një popullsi prej më shumë se 26.000 banorësh një vit më parë, sipas Maria Gershkovichit, e cila drejtonte një teatër për fëmijë atje derisa ajo dhe familja e saj u larguan për në Haifa.
Gershkovich tha se Kiryat Shmona është në thelb një "vendbanim fantazmë", duke thënë se vetëm njerëz në disa profesione jetojnë atje sot. Në një video-intervistë me Current Time këtë javë, ajo tha se dëshiron të kthehet, por aktualisht nuk ka plane për ta bërë këtë.
"Kthimi ynë është i mundur vetëm nëse unë, si nënë, jam e sigurt që mund ta dërgoj fëmijën tim në shkollë e qetë", tha Gershkovich, duke shtuar se mund të duhet një kohë e gjatë derisa të sigurohet se është e sigurt për t'u kthyer.
Situatë e vështirë
Në mes të pasigurisë nga lufta, pak gjëra mbeten të qëndrueshme në veriun kryesisht bujqësor. Por, jeta vazhdon.
Shumica e punëtorëve dhe banorëve janë evakuuar nga Kibuci Snir, që ndodhet 15 minuta në verilindje të Kiryat Shmona dhe vetëm 500 metra larg kufirit me Libanin.
Por, dikush duhet ta mbrojë vendbanimin, të kujdeset për bagëtinë dhe pulat, dhe të mirëmbajë fushat dhe plantacionet e avokados.
Rezervisti i ushtrisë Lior Shelef është pjesë e ekipit të sigurisë që mbron vendbanimin. Por, 48-vjeçari shpjegoi se ndërsa ekipi shumë i trajnuar patrullon dhe qëndron i gatshëm për një sulm të mundshëm të Hezbollahit, puna e tij do të thotë më shumë se kaq.
"Nëse ka sulme me raketa, duhet të sigurohemi që nuk ka dëme në ndonjë nga shtëpitë. Nëse ka zjarre pyjore, duhet të shkojmë dhe t’i luftojmë zjarret", tha Shelef për REL-in nëpërmjet telefonit.
"Duhet të sigurohemi që gjithçka të jetë ende këtu".
Shelef rrallëherë i sheh gruan dhe tre fëmijët e tij të moshës 5 deri në 10 vjeç, të cilët janë evakuuar dhe kanë kaluar pjesën më të madhe të vitit të fundit në një hotel. Shelef tha se situata është e vështirë për njerëzit që ndodhen pranë kufirit, veçanërisht për fëmijët, të cilët mund të ndjekin mësimin vetëm online dhe që vuajnë nga stresi post-traumatik.
"Çdo zhurmë sado e vogël, i tremb ata dhe duan të shkojnë dhe të qëndrojnë në dhomën e sigurisë. Realiteti këtu për fëmijët është shumë - shumë i vështirë", tha Shelef.
Por, në fund të ditës, shtoi ai, fëmijët e dinë që "këtu është shtëpia e tyre. Këtu kemi zgjedhur të jetojmë jetën tonë".
Ata nuk kanë asnjë dyshim që do të ribashkohen me lojërat dhe qenin e tyre në shtëpi, tha Shelef duke shtuar se “thjesht shpresojnë që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur".