Ndërtesa e zymtë, që i ngjan stilit komunist, lë fare pak përshtypjen e një strehimoreje.
Mirëpo për fëmijët dhe prindërit, sidomos për nënat që i kanë ikur luftës në Ukrainë, konvikti i një universiteti në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë, është i mjaftueshëm.
Tash e sa muaj, dhjetëra refugjatë ukrainas jetojnë në Brevnov, në disa dhoma të vogla, me nga një banjo dhe kuzhinë të përbashkët në kat.
Por pak prej tyre ankohen. Shumica janë mirënjohës që mund të jetojnë në këto ambiente pa pagesë.
Në katin e parë gjendet një qendër rekreative për fëmijë, e cila udhëhiqet nga një organizatë joqeveritare ndërkombëtare.
Prindërit e konsiderojnë këtë qendër si dhuratë nga Zoti për fëmijët e tyre.
“Këtu janë të gjitha llojet e lodrave, janë edhe disa të lidhura me matematikën. Ata mund të bëjnë shumë gjëra këtu. Fëmijët vijnë këtu sa herë që kanë pushim, përndryshe do të ishte e vështirë të përballeshin me gjithçka që kanë përjetuar”, ka thënë Olha Grishanovich, 35-vjeçare, e cila ka ikur nga rajoni i Çernihivit në muajin mars, bashkë me binjakët 11-vjeçarë, Saveliyn dhe Kyrylon.
Djemtë e saj tani shkojnë në një shkollë çeke dhe më pas ndjekin mësimet online në shkollën ukrainase, ashtu që të mos mbesin mbrapa me mësime.
Kjo është vetëm njëra prej sfidave të shumta të fëmijëve ukrainas, veçse të traumatizuar nga lufta dhe humbja e të afërmve.
Ndonëse jetojnë në ambient të sigurt, ata tani duhet të adaptohen shpejt me shtëpinë e re, shkollën, miqtë, edhe pse mezi flasin ndonjë fjalë çeke.
Pas shkollës, refugjatët ukrainas në Republikën Çeke kanë thënë se fëmijët i kanë lënë të luajnë në orare më të gjata, në mënyrë që t’i mbajnë larg traumave të luftës.
Fëmijët mund të jenë ndër më të goditurit nga lufta e Rusisë në Ukrainë, pasi shumë prej tyre kanë humbur njërin apo të dy prindërit dhe kanë mbetur të vetëm në botë.
Prej nisjes së luftës më 24 shkurt, 408 fëmijë janë vrarë dhe mbi 750 janë plagosur, sipas të dhënave të Komisionarit të Lartë të Bashkimit Evropian për Refugjatë.
Agjencia e OKB-së për Fëmijët (UNICEF) ka raportuar në muajin gusht që brenda një dite në Ukrainë raportohen pesë fëmijë të vrarë apo të plagosur, duke paralajmëruar se shifra mund të jetë edhe më e lartë.
“Përtej terrorit të vrasjes dhe plagosjes fizike të fëmijëve, gati secili fëmijë në Ukrainë u është ekspozuar pamjeve shqetësuese”, ka thënë shefja ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Agjencia e lajmeve Associated Press, dhe media tjera, kanë raportuar se Rusia ka dëbuar fëmijë ukrainas për në Rusi apo territore tjera të kontrolluara nga forcat ruse, duke afruar adoptimin e tyre, pavarësisht dëshirës së fëmijëve.
Për ata që i kanë ikur luftës, Republika Çeke - e cila ka dënuar ashpër luftën e Rusisë në Ukrainë, dhe ka ofruar ndihmë të konsiderueshme ushtarake – është kthyer në destinacion mikëpritës.
Më shumë se 458.000 refugjatë nga Ukraina – kryesisht gra dhe fëmijë – janë regjistruar në Republikën Çeke deri më 8 nëntor, sipas të dhënave të fundit nga UNHCR-ja.
Nëna e binjakëve Grishanovich ka thënë se e ka marrë vendimin për t’u larguar pas shumë netëve nën presion që ka kaluar në bodrumin e banesës nëntëkatëshe në Çernihiv.
Ky qytet ka qenë për disa javë nën kontrollin e forcave ruse, deri në zmbrapsjen e tyre në muajin prill.
Përgjatë atyre ditëve, njerëzit kanë mbetur pa rrymë dhe gaz.
“Ka qenë e tmerrshme. Ftohtë, errësirë. Të gjithë kemi qenë të frikësuar”, ka thënë Grishanovich për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo dhomë synon të ofrojë ambient të rehatshëm dhe të sigurt për fëmijët”, ka thënë Tetyana Kashchavtseva, 51-vjeçare, mësuese që ka arritur në Pragë më 27 mars nga qyteti i Harkivit, bashkë me vajzën e saj 27-vjeçare dhe nipin e saj tetëvjeçar.
“Fëmijët mund të ndihen të lumtur, të harrojnë problemet që mund t’i kenë ndoshta në shkollë, apo për shkak të ndryshimit të gjuhës. Ndoshta në shkollë nuk është gjithçka siç duhet të jetë. Ndoshta ka përleshje aty. Krejt kjo u mblidhet si energji, e cila më pas duhet të lirohet”.
“Në këtë dhomë lirohemi nga të gjitha problemet. Fëmijët bëjnë shumë vizatime. Tentojmë që çdo ditë t’ua bëjmë festë”, ka thënë Kashchavtseva, e cila e ka lënë burrin dhe dhëndrin në Ukrainë, si pasojë e ftesës që kanë marrë për shërbim ushtarak.
Kashchavtseva ka thënë se shtëpia e saj në Harkiv, qytet në lindje të Ukrainës, është shënjestruar disa herë nga forcat ruse dhe është dëmtuar rëndë nga bombardimet në muajin maj.
“Flas me burrin tim çdo ditë. Është situatë e vështirë, stresuese”.
Qendra rekreative në Pragë është krijuar nga organizata ndërkombëtare, Early Starters International, e cila e ka bazën në Izrael.
Kjo organizatë ka krijuar ambiente të ngjashme në të kaluarën kryesisht në Afrikë.
Mirëpo prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, ajo ka hapur ato që i konsideron “hapësira” në Pragë dhe Moldavi, shtete të cilat sipas OKB-së, kanë strehuar më së shumti refugjatë ukrainas për kokë banori në Evropë.
“Ne e kemi themeluar këtë organizatë kur e kemi kuptuar se edukimi i hershëm zakonisht nuk përbën prioritet, por përbën periudhën më të rëndësishme në jetën e njeriut, pasi ajo që ju ndodh në fëmijëri, mbetet me ju për gjithë pjesën tjetër të jetës”.
“Prandaj ne tentojmë që të ofrojnë shërbime të shkollimit të hershëm për ata që kanë nevojë”, ka thënë Sarah Wilner, një prej bashkëthemelueseve të organizatës, në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
“Shumë prindër kanë thënë se fëmijët e tyre janë më pak të stresuar, janë më të lumtur, janë duke qeshur më shumë dhe janë më të entuziazmuar kur vijnë në ambientet tona. Prindërit na kanë thënë po ashtu se këto qendra u ndihmojnë edhe atyre që të koncentrohen në gjëra tjera, të kërkojnë punë, të mësojnë gjuhën çeke, dhe të kenë pak kohë për veten, duke e ditur se fëmijët janë në vend të sigurt”, ka thënë Wilner.
Kjo organizatë izraelite ka ofruar edhe trajnime për psikologët ukrainas që të trajtojnë fëmijët që përballen me traumat pasluftës.
Në mesin e tyre është Yulia Beihul, 37-vjeçare, e cila është larguar nga Kievi me djalin e saj shtatëvjeçar në muajin maj, për shkak të “situatës së vështirë” atje.
Ajo tani punon për Agjencinë për Migrim dhe Adaptim, Amiga, organizatë joqeveritare çeke që ofron ndihmë për migrantët, sidomos për ata nga Ukraina.
Beihul, e cila ka punuar me fëmijë të moshave prej katër deri në 14 vjet, shumica prej tyre me aftësi të kufizuara, ka thënë se “rritja e agresionit” në mesin e fëmijëve nga Ukraina, është ndër problemet kyçe te ata.
“Këtë agresion ata e shprehin te nënat e tyre, nëpër rrugë, dhe bëjnë gjeste që nuk kanë qenë karakteristike për ta”, ka thënë Beihul për Radion Evropa e Lirë.
Masha Volynsky, shtetase amerikane me origjinë nga Moska, e cila punon si koordinatore në Amiga, pajtohet me përgjigjet e koleges së saj.
“Shumë prindër kanë ardhur te ne dhe na kanë thënë ‘Merruni me fëmijët tanë. Diçka nuk është në rregull. Nuk e di çfarë po ndodh, por diçka po’”, ka thënë Volynsky, ndonëse ka shtuar se situata është përmirësuar.
Beihul ka thënë se një shenjë pozitive që vëren është se fëmijët tani shkojnë rregullisht në shkollat çeke.
Mirëpo sa fëmijë ukrainas janë duke vijuar mësimet në këto shkolla nuk dihet ende.
Në fund të muajit gusht, pak para nisjes së vitit shkollor, Ministria çeke e Arsimit ka thënë se numri i fëmijëve ukrainas që pritet të vijojnë mësimet shkon në mbi 70.000.
Më 25 gusht, ministri çek i Edukimit, Vladimir Balas, ka thënë se përgjatë vizitës së tij dyditore në Kiev, ai ka biseduar me homologun e tij ukrainas, Serhiy Shkarlet, që “synimi ynë është integrimi i fëmijëve ukrainas, jo asimilimi i tyre. Ne duam që fëmijët ukrainas të ndihen rehat me ne, dhe nëse është e mundshme të krijojnë shoqëri me fëmijët çekë”.
Duke e pranuar që mësimet me prezencë dhe ato online mund të ngarkojnë shumë fëmijët, Balas dhe Shkarlet janë pajtuar më 22 nëntor që të zvogëlojnë numrin e orëve online, ashtu që fëmijët ukrainas “të kenë më shumë kohë për socializim”.
Beihul ka thënë se fëmijët ukrainas janë duke tejkaluar barrierën e gjuhës dhe janë duke mësuar alfabetin latin, për dallim nga skripti cirilik që mësojnë në Ukrainë.
Megjithatë ajo ka theksuar se të gjithë fëmijët mezi presin të kthehen në shtëpitë e tyre në Ukrainë.
“Ata i duan lodrat e tyre, i duan shokët e tyre, i duan gjyshërit e tyre. Ata mund të qajnë sepse nuk u kujtohet si duket dhoma e tyre. Kanë nisur të harrojnë si duket shtëpia. Disa fëmijë qajnë sepse u mungojnë kafshët shtëpiake”.
Iryna Breston, mësuese nga një paralagje e Bahmutit, qytet në lindje të Ukrainës, ka arritur në Pragë më 17 mars, me djalin e saj 16-vjeçar dhe vajzën tetëvjeçare. Burri i saj ka mbetur në Ukrainë, mirëpo ka shkuar në një qytet të sigurt te disa familjarë.
Për shkak të problemeve shëndetësore, ai është përjashtuar nga urdhri për shërbim ushtarak.
“Kemi qëndruar shumë net nëpër bodrume. Fëmijët, sidomos vajza ime ka qenë shumë e frikësuar. Ka qenë shumë errësirë, ka pasur lagështi. Ata më pas kanë nisur të sëmuren. Vajza sapo dëgjonte ndonjë shpërthim, niste qante. Prandaj kam vendosur të largohem nga shteti”, ka thënë Breston.
Tani ajo jeton në një konvikt, dhe sikurse fëmijët e Grishanovich, edhe fëmijët e saj shkojnë në shkollat çeke dhe më vonë mbajnë mësimet online me shkollat që kanë pasur në Ukrainë.
“Në orën 15:00 ose 16:00, pas shkollës çeke, ata kyçen online, përmes aplikacionit Zoom dhe nisin mësimet në gjuhën ukrainase. Secilën herë më shumë fëmijë krijojnë këtë rutinë, sepse u duhet të vazhdojnë të jenë në hap me mësimet ukrainase”, ka thënë Breston.
Megjithatë, shumë shkolla në Ukrainë janë dëmtuar apo janë shndërruar në gërmadha, si pasojë e sulmeve ruse.
Organizata ndërkombëtare, World Vision, ka thënë në një raport të muajit shtator se 2.300 shkolla janë dëmtuar nga bombardimet ruse dhe të paktën 286 prej tyre janë shkatërruar.
“Konflikti është duke rrezikuar të ardhmen e gjithë gjeneratës së këtyre fëmijëve”, ka thënë Jennifer Neelsen, drejtore e Departamentit të World Vision për përgjigje ndaj krizave.
Anna Perva, nga rajoni juglindor Dnjipropetrovsk, ka thënë se djali i saj shtatëvjeçar, Dyma, është duke u adaptuar mirë në Republikën Çeke dhe gradualisht është duke bërë shokë.
“Më duhet të gjej punë. Kam shkuar në zyrën e punësimit, mirëpo nuk kam gjetur punë. Punoj një herë në javë në dyqanin Zara për katër orë. Por aq nuk më mjafton”.
Autoritetet çeke u ndihmojnë refugjatëve me 200 dollarë në muaj për një të rritur dhe rreth 100 dollarë për një fëmijë.
Perva e vlerëson ndihmën e ndarë nga Qeveria dhe banimin falas, mirëpo ka thënë se është në presion të madh financiar.
“Më duhej të paguaj rreth 30 euro në muaj për drekën e fëmijës në shkollë. Udhëtimi për në shkollë është 20 euro në muaj. Më pas më duhet të blej produkte ushqimore, inflacioni është i lartë. Më duhet të gjej punë me domosdo”.
Të gjithë të intervistuarit kanë thënë se pa komunikim të rrjedhshëm në gjuhën çeke, numri i vendeve të punës është i kufizuar.
Presioni për të gjetur punë rritet për shkak të pasigurive se sa gjatë do të mund të jetojnë këta refugjatë falas në konviktet ku janë duke jetuar aktualisht.