Pas një shekulli të evolucionit artistik në Lindjen e Mesme, arti i famshëm i qeramikës së armenianëve nga Jerusalemi, për herë të parë do të prodhohet edhe në Armeni.
Është faltorja më e vjetër në botën islamike, e ndërtuar në vendin më të shenjtë të judaizmit. Por, në vitin 1919, kur tjegullat në Kupolën e Shkëmbit filluan të dëmtohen, u dërguan armenë të krishterë për ta riparuar tempullin.
Sunduesit britanikë të Palestinës, atë kohë kërkuan zejtarë etnikë armenë nga Kutahya, Turqia e sotme perëndimore, të cilët kishin përfunduar në Lindjen e Mesme pasi u kishin mbijetuar vrasjeve dhe dëbimeve masive, që njihen ndryshe si gjenocidi armen.
Armenët janë lavdëruar për punën e tyre dhe artin e qeramikës, por teksa financimi për restaurimin e Kupolës së Shkëmbit filloi të zbehej, dhe ankesat e krishterëve armenë që punonin në një faltore islame u shtuan, puna e tyre për restaurimin u ndal për disa vjet.
Artistët armenë u shkëputën dhe krijuan dy punëtori të veçanta të pllakave dhe pikturës së qeramikës në Jerusalem në vitin 1922. Për shkak se ata nuk u nënshtroheshin më kufijve të vendosur nga administrata osmane, emigrantët gradualisht krijuan stilin e tyre krijues, duke marrë frymëzim nga traditat persiane dhe islame.
Jeta e egër dhe peizazhi i vendit të tyre të zgjedhur shërbyen si burime kryesore frymëzimi.
Në ditët e sotme disa punishte qeramike funksionojnë brenda lagjes armene të Jerusalemit dhe veprat e veçanta të artit u dhurohen pjesëtarëve të familjeve mbretërore dhe presidentëve që vizitojnë, si dhe eksportohen në mbarë botën.
Qeramika armene nga Jerusalemi u ekspozua në Muzeun Smithsonian në Uashington, DC për disa muaj në vitin 1992. Një nga mjeshtret e formës së re të artit, Marie Balian, pikturoi shumicën e artit të ekspozuar.
Qeramika armene e Jerusalemit është gjithashtu e ekspozuar në një sërë muzesh të tjerë, duke përfshirë Muzeun"Victoria" dhe "Albert" në Britani të Madhe.
“Ky art është bërë simbol i Jerusalemit”, tha Setrag Balian për Radion Evropa e Lirë, nga brenda fabrikës në pronësi të familjes së tij, Qeramika Baliane Armene e Jerusalemit, e themeluar nga stërgjyshi i tij një shekull më parë, dhe të cilën ai tani e menaxhon.
Fabrika Balian është një nga bizneset më të vjetra që operon vazhdimisht në Jerusalem, por familja tani eksporton pjesën më të madhe të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pllakat blu dhe të bardha të krijuara në Jerusalem janë një pamje e zakonshme përgjatë vijave ujore të pishinave të pasura kaliforniane.
Balian suksesin ia atribuon gjyshes së tij, Marie, që e ngriti qeramikën e Jerusalemit në një nivel artistik, që "mund ta dëgjosh ujin që rrjedh e ta ndiesh erën". Ai thotë, qeramika e bërë në Perandorinë Osmane nga armenët etnikë kishte përdorur motive relativisht të përsëritura dhe statike dhe skena biblike.
Familja Balian do të bëhet përpunuesja e parë armene e qeramikës armene të Jerusalemit që "do të kthehet" në Armeni. Balian nuk dha një afat kohor, por tha se familja është në fazat e hershme të planifikimit të një “fabrike, muzeu dhe kafeneje, të gjitha në një”, që do të hapet në Ashtarak, në veriperëndim të Jerevanit.
"Kthimi" i synuar i formës së artit në Armeni do të jetë një përzirje mes të huajës dhe vendases, tha për Radion Evropa e Lirë ish-gazetari armeno-izraelit, Artiom Chernamorian.
"Nuk mund të gjesh diçka si [qeramika armene e Jerusalemit] në Republikën Armene sot", tha ai.
Balian thotë se disa punëtori që imitojnë punimin e qeramikës, janë përhapur kohëve të fundit në Armeni, por pajtohet që arti do të jetë diçka e re kur të mbërrijë në Kaukaz.
"Kjo nuk është kultura 'jonë' [armene]", thotë ai. "Është më shumë armene-jerusaleme, sesa armene".