Ndërlidhjet

Javë kyçe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë


Flamuri i Bashkimit Evropian - Fotografi ilustruese.
Flamuri i Bashkimit Evropian - Fotografi ilustruese.

Kjo javë shihet si afati kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke pranuar disa kërkesa dhe propozime që ua kanë paraqitur të shtunën pesë emisarë të lartë perëndimorë.

Kështu pohojnë burimet diplomatike në BE, por pa dhënë hollësi se cilat janë propozimet konkrete që u janë prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, thonë se “afati për t’u deklaruar nuk është i gjatë, është shumë i shkurtër, më së largu deri të enjten, kur në Bruksel takohen shefat e shteteve apo qeverive të BE-së në samitin e Këshillit Evropian”.

Në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”.

As aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.

Sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

Kurti edhe Vuçiq pritet të jenë në Bruksel të enjten dhe, nëse do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe procesin e dialogut.

Disa burime diplomatike në Bruksel thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve nga aneksi i pranuar në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Të shtunën, në Prishtinë dhe Beograd qëndruan përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi i lartë i Francës, Emanuel Bonne, i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe i Italisë, Alessandro Cattaneo.

Temë diskutimi ishte vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e dy vendeve janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.

Dhjetë ditë pas ka ndodhur sulmi një Banjskë, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm dhe ka thënë se nuk do t’u kthehet bisedimeve pa u ndëshkuar shteti fqinj.

Serbia e ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se është duke e hetuar sulmin edhe vetë.

Situata në Kosovë dhe bisedimet e saj me Serbinë janë temë diskutimi edhe në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg.

Për këtë pritet të flasë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ministrat pritet të njihen edhe me vizitën që pesë përfaqësuesit e lartë perëndimorë kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi.

Gjatë kësaj jave, edhe vetë Lajçak pritet t’i njoftojë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin në këtë proces.

Situata në Kosovë dhe normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi ka qenë, po ashtu, temë e diskutimeve në samitin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që është zhvilluar të premten.

Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë bërë thirrje për zbatimin “e shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për kthimin e palëve në dialog.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje, shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Ndër pikat më të nxehta të dialogut është Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E arritur në vitin 2013, ajo nuk është zbatuar kurrë, pasi zyrtarët në Prishtinë kanë shprehur shqetësime se kompetencat e gjera për këtë asociacion, do të mund të ndikonin negativisht në funksionalitetin e shtetit.

Por, nga SHBA-ja kanë porositur Kosovën se themelimi i këtij asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG