Ndërlidhjet

Yellen paralajmëron recesion nëse nuk shmanget falimentimi


Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. Fotografi nga arkivi.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. Fotografi nga arkivi.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, paralajmëroi se nëse nuk kalohet kriza me borxhin e Qeverisë, ka të ngjarë që miliona amerikanë të mbesin pa paga, potencialisht duke shkaktuar recesion që mund të shkatërrojë shumë vende pune dhe biznese amerikane.

Yellen këto deklarata i bëri para komunitetit të bankave, duke paralajmëruar se në rast të falimentimit, kriza financiare dhe ekonomike do të përkeqësohej për shkak të ndërprerjeve të mundshme të operacioneve të Qeverisë federale, përfshirë kontrollin e trafikut ajror, zbatimin e ligjit, sigurinë kufitare dhe mbrojtjen kombëtare dhe sistemet e telekomunikacionit.

“Ka shumë të ngjarë që do të shihnim tronditje në shumë tregje financiare”, tha Yellen.

Sekretarja Yellen i ka thënë të hënën Kongresit se Thesarit do të jetë në gjendje të paguajë faturat qeveritare deri më 1 qershor, nëse nuk rritet tavani i borxhit qeveritar në vlerë prej 31.4 trilionë dollarësh, duke rritur presionin te republikanët në Kongres dhe te Shtëpia e Bardhë që të arrijnë marrëveshje për këtë çështje.

Dështimi për të arritur marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit do të rezultonte në pasoja të rënda ekonomike dhe financiare, tha ajo.

“Ekonomia jonë do të përfshihej në një stuhi të paprecedent financiare dhe ekonomike”, tha ajo dhe shtoi se 66 milionë amerikanë që janë përfitues të sigurimit social dhe miliona veteranë dhe familje të ushtarëve, do të mbesnin pa marrë pagesa.

“Dhe rezultati i kësaj tronditjeje do të çonte në recesion që do të shkatërronte shumë vende pune dhe biznese amerikane”, tha Yellen.

Presidenti amerikan, Joe Biden, të martën do të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin Kevin McCarthy, dhe me tre liderët e tjerë të Kongresit. Zyrtarët do të bisedojnë për planin se si të dilet nga falimentimi i mundshëm i parë i shtetit.

Tavani i borxhit është rritur, zgjatur ose rishikuar 78 herë në SHBA që nga viti 1960.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG