Ndërlidhjet

Izraeli zbulon shenja të Hamasit në Shifa, por jo edhe ndonjë qendër komandimi


Pamje nga Spitali Shifa në Rripin e Gazës, 12 nëntor 2023, ku ushtria izraelite pretendon se Hamasi ka një qendër komandimi.
Pamje nga Spitali Shifa në Rripin e Gazës, 12 nëntor 2023, ku ushtria izraelite pretendon se Hamasi ka një qendër komandimi.

Associated Press

Para tri javëve, ushtria izraelite e shpalosi një model 3D të Spitalit Shifa në Gazë – duke shfaqur një sërë ndërtimesh nëntokësore për të cilat tha se ishin pjesë e një qendre komandimi të grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, Hamas, nën qendrën më të madhe mjekësore të vendit.

Disa ditë pasi e mori nën kontroll spitalin, ushtria ende nuk ka ofruar dëshmi për këtë qendër, që pretendon se ndodhet aty.

Megjithatë, ajo ka publikuar video ku shihen armët e gjetura gjoja brenda spitalit, një tunel i cili kalon nëpër kompleksin spitalor dhe një video tjetër që duket se i shfaq luftëtarët e Hamasit duke i tërhequr zvarrë pengjet nëpër korridoret e spitalit.

Izraeli thotë se do të publikojë edhe më shumë materiale të tjera.

Çfarë gjen Izraeli – apo dështon të gjejë – mund të jetë e rëndësishme për përpjekjet e tij për të gëzuar mbështetje ndërkombëtare për luftën e tij kundër Hamasit, e cila nisi më 7 tetor si përgjigje ndaj sulmeve të përgjakshme nga grupi radikal palestinez në qytetet izraelite.

Një vështrim i bastisjes së Izraelit në Spitalin Shifa:

Pse është i rëndësishëm?

Spitalet e Gazës kanë luajtur rol kyç në narrativët e luftës.

Ligjet ndërkombëtare mundësojnë mbrojtje për spitale përmes një statusi të veçantë. Por, ato mund ta humbin statusin nëse përdoren për qëllime ushtarake.

Izraeli ka shumë kohë që pretendon se Hamasi i përdor spitalet, shkollat, xhamitë dhe lagjet e banimit si mburoja njerëzore. Në veçanti, Izraeli thotë se Hamasi ka qendra komandimi dhe bunkerë të fshehura nën Spitalin Shifa.

Shtetet e Bashkuara thonë se inteligjenca e saj i vërteton këto pretendime. Hamasi i mohon akuzat.

Izraeli thotë se spitalet e tjera po përdoren ngjashëm për qëllime ushtarake. Prandaj, ushtria e saj e ka urdhëruar evakuimin e një numri të spitaleve të Gazës, përfshirë të Shifas, teksa po e vazhdon ofensivën tokësore kundër Hamasit.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare thonë se këto evakuime i kanë rrezikuar pacientët dhe i kanë mbingarkuar spitalet e tjera në territorin e rrethuar.

Duke qenë se Izraeli përballet tashmë me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar për shkak të ofensivës, dështimi për të zbuluar prani të madhe të Hamasi mund ta rrisë trysnin për ndaljen e ofensivës.

Izraeli është zotuar se nuk do të ndalet derisa ta shkatërrojë Hamasin.

Çfarë ka gjetur Izraeli?

Ushtria izraelite ka publikuar video ku shfaqen pushkë AK47, municion dhe pajisje të tjera ushtarake, për të cilat tha se i gjeti në repartin e rezonancës magnetike të spitalit. Po ashtu, tha se e gjeti një veturë Toyota të mbushur me armë në garazhin e spitalit. Vetura duket e ngjashme me ato që i përdori Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.

Të dielën, Izraeli e publikoi një video të një tuneli 55 metra të gjatë në oborrin e spitalit.

Zyrtarët izraelitë publikuan edhe pamje nga kamerat e sigurisë ku shihen luftëtarët e Hamasit duke i shoqëruar dy pengje – një nga Tajlanda dhe një tjetër nga Nepali – të cilët ishin kapur gjatë sulmit të 7 tetorit, sipas Izraelit. Në video mund të shihen punonjësit e spitalit duke shikuar.

Në video shihet data e 7 tetorit, kur edhe ndodhi sulmi në Izrael. Por, fytyrat e dy pengjeve të dyshuara në video u turbulluan, duke e bërë të vështirë të vërtetohet nëse videot janë të mirëfillta.

Fotografi e shfaqur nga ushtria izraelite më 17 nëntor 2023, tregon atë që ushtria e ka cilësuar si hyrja në një tunel nëntokësor në Spitalin Shifa në Rripin e Gazës.
Fotografi e shfaqur nga ushtria izraelite më 17 nëntor 2023, tregon atë që ushtria e ka cilësuar si hyrja në një tunel nëntokësor në Spitalin Shifa në Rripin e Gazës.

Ushtria, po ashtu, publikoi edhe fotografi të, siç tha, dy automjeteve ushtarake të tipit jeep, që i ishin vjedhur ushtrisë izraelite. Fotografitë i shfaqën automjetet e parkuara në kompleksin e spitalit mëngjesin e sulmit.

“Tashmë e vërteta është e qartë: Hamasi kryen luftë nga spitalet, kryen terror nga spitalet”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

“Kujtdo që i bën për të ardhmen e njerëzimit, duhet ta dënojë Hamasin”, shtoi ai.

Hamasi i kundërshtoi fotografitë, duke thënë se u kishte ofruar të burgosurve tretman mjekësor.

“Ne i rrezikuam luftëtarët tanë për t’u siguruar se të burgosurit e plagosur mund të mjekoheshin në mënyrën më të mirë të mundshme në spitalet e Rripit të Gazës”, tha grupi radikal në një komunikatë.

Osmaa Hamdan, një lider i lartë i Hamasit me bazë në Bejrut, e pranoi se Izraeli mund ta gjejë ndonjë tunel “aty-këtu”.

“Ne nuk e mohojmë se ka tunele qindra kilometra në dhe përreth Gazës”, tha ai në një konferencë për media.

Por, ai tha se Hamasi nuk i përdor spitalet për veprime ushtarake.

Çfarë nuk ka gjetur Izraeli?

Izraeli nuk ka treguar se ku të dërgon tuneli nën Shifa, e as nuk ka dhënë hollësi se për çfarë përdorej ai.

Dhe, deri tani nuk ka dhënë asnjë provë të përafërt me pamjet e bunkerëve nëntokësorë dhe dhomave të konferencave të cilat i shfaqi gjatë një ilustrimi më 27 tetor.

Hamdan, lideri i Hamasit, është tallur me zbulimet e Izraelit deri tani.

“Izraelitët thanë se ekziston një qendër komandimi dhe kontrolli, që nënkupton se çështja është më serioze se thjesht një tunel”, tha ai.

Zyrtarët izraelitë thonë se ilustrimet fillestare ishin “konceptuale”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG