Ndërlidhjet

Izraeli vazhdon bombardimet në qytetin e Gazës


Rajon i shkatërruar në Gaza, si pasojë e bombardimeve izraelite.
Rajon i shkatërruar në Gaza, si pasojë e bombardimeve izraelite.

Sulmet ajrore izraelite e kanë goditur edhe të enjten qytetin e Gazës, teksa ushtarët janë përballur lagje për lagje me militantët e grupit palestinez Hamas.

Ndërkohë, mijëra palestinezë janë të dëshpëruar dhe në kërkim të sigurisë, derisa largohen prej shtëpive të tyre në pjesën veriore të Gazës së rrethuar.

Pas më shumë se një muaji të bombardimeve masive, qindra mijëra njerëz po përballen me “situatë të rëndë humanitare” në zonat e luftimeve në Gazë dhe kanë mbetur pa ujë dhe ushqime të mjaftueshme, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të mërkurën se forcat e tij janë duke “ashpërsuar rrethimin” në qytetin e Gazës.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit, pas sulmit të grupit në tokën e tij më 7 tetor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke regjistruar sulmin më të keq në historinë e Izraelit.

Militantët i kanë marrë edhe mbi 240 pengje, duke përfshirë edhe foshnja dhe persona të moshuar.

I zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, Izraeli është hakmarrë me bombardime të vazhdueshme dhe ofensivë tokësore, e cila sipas autoriteteve palestineze i ka vrarë mbi 10.500 njerëz, shumica prej tyre fëmijë.

“Ne kemi humbur shtëpitë tona, ne i kemi humbur fëmijët tanë. Ku është komuniteti global?”, ka pyetur Nouh Hammouda, një prej palestinezëve sa ka qenë duke ikur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e armëpushimit, derisa të lirohen pengjet e marra prej Hamasit.

Sipas disa burimeve të lidhura me Hamasin, janë duke u zhvilluar bisedime për lirim të 12 pengjeve, përfshirë gjashtë amerikanë, në këmbim të tri ditëve armëpushim.

Zëdhënësi për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Kirby, ka thënë se Uashingtoni “e ka një mënyrë të komunikimit me Hamasin”, mirëpo dhënia e më shumë hollësive mund ta dëmtojë procesin.

Ndonëse luftimet intensifikohen, në anën tjetër kanë nisur diskutimet se si do të jetë e ardhmja e Gazës, pasi të përfundojnë luftimet.

Netanyahu ka thënë këtë javë se Izraeli do të jetë përgjegjës për “sigurinë e përgjithshme” të territorit.

Kirby ka thënë të mërkurën se diçka e tillë mund të ndodhë për një periudhë kohore.

Izraeli e ka pushtuar Gazën në luftën gjashtëditore të vitit 1967 dhe është tërhequr nga ky territor më 2005. Dy vjet më vonë, Hamasi e ka marrë kontrollin e rajonit dhe Izraeli i ka vënë bllokadë të ashpër.

Në periudhë afatgjatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka sugjeruar se Autoriteteti Palestinez – i cili ushtron autonomi të kufizuar vetëm në disa pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor – duhet ta rimarrë kontrollin në Gazë.

“Duhet të ketë udhëheqësi palestineze dhe Gaza të jetë e unifikuar me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez”, ka thënë Blinken të mërkurën, duke e përsëritur qëndrimin e SHBA-së për zgjidhje me dy shtete.

Mirëpo zyrtari i lartë i Hamasit Ezzat al-Reshq ka marrë tjetër qëndrim.

“Të gjitha fuqitë e botës bashkë, nuk do të mund t’i aplikojnë kushtet dhe kukullat e tyre” te palestinezët, ka thënë ai përmes një mesazhi në Telegram.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk, e ka dënuar Izraelin për bombardimet dhe urdhrat për palestinezët që të ikin prej veriut të Gazës.

“Ndëshkimet kolektive të Izraelit ndaj civilëve palestinezë përbëjnë po ashtu krim lufte, ashtu sikurse evakuimi i detyrueshëm i civilëve”, u ka thënë ai gazetarëve në pikën kufitare Rafah me Egjiptin, rrugën e vetme për largim prej Gazës, që nuk kontrollohet prej Izraelit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG