Me 64 vota për, ligjvënësit izraelitë miratuan të hënën një pjesë kyçe të planit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, për reformat në sistemin e drejtësisë, që i pengon gjyqtarët të rrëzojnë vendimet e Qeverisë mbi bazën se ato janë "të paarsyeshme".
Me gjithë protestat masive që kanë ekspozuar çarje të paprecedent në shoqërinë izraelite, votimi u zhvillua pas një seance me tensione, gjatë së cilës ligjvënësit e opozitës brohoritën "turp" dhe më pas u larguan nga salla.
Pas votimit, ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, arkitekt i planit, tha se parlamenti kishte ndërmarrë "hapin e parë në një proces të rëndësishëm historik" të rishikimit të gjyqësorit.
Votimi pasqyroi vendosmërinë e Netanyahut dhe aleatëve të tij të së djathtës ekstreme për të çuar përpara planin, që ka tërhequr vazhdimisht shqetësimin nga aleati i tij më i afërt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas votimit, priten protesta edhe më masive.
Më herët gjatë ditës, derisa pritej që të votohej reforma në sistemin gjyqësor, policia izraelite përdori topa uji dhe arrestoi protestuesit jashtë ndërtesës së parlamentit.
Zhvillimet para votimit
Votimi për këto reforma është përcjellë me trazira tash e disa muaj dhe ka nxitur disa prej protestave më të mëdha në historinë e këtij vendi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është liruar të hënën nga spitali - ku e ka kryer një ndërhyrje në zemër – dhe tani rrezikon të përballet me krizë kombëtare të pashembullt.
Protestuesit - shumica prej të cilëve besojnë se themelet e shtetit të tyre janë duke u gërryer nga plani qeveritar - e kanë rritur zërin e pakënaqësisë dhe e kanë bllokuar rrugën që të çon në ndërtesën e parlamentit.
Bizneset në gjithë shtetin i kanë mbyllur dyert, si shenjë proteste ndaj votimit.
E nxitur nga një koalicion qeveritar, i formuar nga partitë ultra-nacionaliste dhe ultra-fetare, reforma në gjyqësor e ka ndarë Izraelin, i ka testuar lidhjet delikate shoqërore, dhe e ka rritur shqetësimin edhe te SHBA-ja, aleatja më e ngushtë e Izraelit.
Presidenti i shtetit, Isaac Herzog, kishte vazhduar përpjekjet si ndërmjetësues për gjetjen e një kompromisi. Ai ka qenë në spital, ku është trajtuar Netanyahu, me qëllim që t’i afrojë qëndrimet e palëve.
Zhvillimet dramatike janë duke u zhvilluar nga afër në Uashington, prej ku administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka folur hapur kundër Qeverisë së Netanyahut dhe planit të saj.
Në një deklaratë për faqen e lajmeve Axios, të dielën vonë, Biden ka paralajmëruar kundër miratimit të ndryshimeve që janë duke shkaktuar aq shumë ndasi në popull.
“Duke i marrë parasysh kërcënimet dhe sfidat me të cilat po përballet Izraeli tani, nuk ka kuptim që liderët izraelitë të çojnë përpara diçka të tillë – fokusi duhet të jetë në bashkimin e popullit dhe gjetjen e një konsensusi”, ka thënë mes tjerash Biden.
Ndryshimet ligjore të Netanjahut parashohin kufizim të kompetencave në gjyqësor, kufizim të kapacitetit të Gjykatës Supreme për t’i sfiduar vendimet parlamentare dhe ndryshimet në mënyrën e selektimit të gjyqtarëve.
Netanyahu dhe aleatët e tij të krahut të djathtë, kanë thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të frenuar kompetencat e gjyqtarëve të paemëruar.
Por, kundërshtarët e tyre, që vijnë kryesisht nga klasa e mesme profesionale e Izraelit, kanë thënë se plani e shkatërron sistemin e ndjeshëm të llogaridhënies dhe e shtyn Izraelin drejt regjimit autoritar.
Plani ka nxitur protesta masive qe shtatë muaj, reagime të ashpra nga bizneset dhe dhe një numër në rritje i rezervistëve ushtarakë, në njësitet kyçe, kanë thënë se nuk do të reagojnë ndaj urdhrave, qëndrim që i ka rritur shqetësimet se siguria e Izraelit mund të kërcënohet.
Presidenti Herzog, i cili është kthyer të dielën nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, ka shkuar menjëherë në dhomën e spitalit të Netahyahut.
“Kjo kohë është urgjente. Neve na duhet ta arrijmë një marrëveshje”, ka thënë Herzog.
Ai ka mbajtur takimet më vonë gjatë së dielës me liderin e opozitës në Izrael, Yair Lapid dhe Benny Gantz, udhëheqës të Unitetit Kombëtar, një tjetër parti opozitare.
Netanyahu dhe aleanca e tij e së djathtës ekstreme i kanë prezantuar planet për këtë reformë në janar, pak pasi e kanë nisur udhëheqësinë.
Netanyahu i ka pauzuar për pak ndryshimet në mars, pas presionit të madh të protestuesve dhe sindikatave të punëtorëve, të cilat kanë nisur greva, duke e paralizuar ekonominë e shtetit.
Pas dështimit për të gjetur kompromis në negociatat e muajit të kaluar, Netanyahu ka thënë se Qeveria e tij do ta çojë përpara reformën.