Ndërlidhjet

Izraeli beson se mbi një e treta e pengjeve në Gazë kanë vdekur


Të afërm dhe miq të pengjeve të marra nga Hamasi, kanë mbajtur disa herë protesta për t'i bërë presion Qeverisë izraelite, që t'i intensifikojë përpjekjet për lirimin e pengjeve.
Të afërm dhe miq të pengjeve të marra nga Hamasi, kanë mbajtur disa herë protesta për t'i bërë presion Qeverisë izraelite, që t'i intensifikojë përpjekjet për lirimin e pengjeve.

Izraeli beson se më shumë se një e treta e pengjeve të mbetura në Gazë, janë të vdekur, tregon një raport i Qeverisë.

Hamasi - grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera - sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Sulmi u bë, pastaj, shkak i luftës që nisi Izraeli në Rripin e Gazës - të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën - të vdekura ose të gjalla - nga trupat izraelite.

Në raportin e Qeverisë izraelite, që u publikua të martën, thuhet se 120 njerëz mbeten në robëri - 43 prej të cilëve janë shpallur të vdekur në mungesë, duke u bazuar në burime të ndryshme, qofshin informacione të inteligjencës, video-vëzhgime apo analiza të forenzikës.

Aktualisht, SHBA-ja dhe vende të tjera i kanë intensifikuar thirrjet për Izraelin dhe Hamasin, që të pranojnë një plan për armëpushim, të shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Plani përfshin, mes tjerash, armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG