Ndërlidhjet

Izraeli vret një komandant të Hamasit në Bregun Perëndimor


Ushtria izraelite gjatë një operacioni në kampin Nur Shams në afërsi të qytetit Tulkarem. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ushtria izraelite gjatë një operacioni në kampin Nur Shams në afërsi të qytetit Tulkarem. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ushtria izraelite tha se ka vrarë një palestinez, i cili tha se ishte anëtar i krahut politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjatë një operacioni në Tulkarem të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Përmes një deklarate të përbashkët, ushtria izraelite, policia dhe agjencia e sigurisë së brendshme, Shin Bet, thanë se kanë kryer një operacion “kundër terrorizmit në Tulkarem për të eliminuar Islam Odeh”, të cilin e akuzuan se po planifikonte “sulme terroriste”.

Në deklaratë u tha se gjatë operacionit, Odeh “hapi zjarr ndaj forcave të sigurisë të cilat e rrethuan atë dhe iu përgjigjën me zjarr” që rezultoi në vrasjen e tij.

“Forcat gjetën armë, përfshirë edhe komponentë që përdoren për prodhimin e bombave”, u tha në njoftim.

Odeh së fundi “ishte caktuar që të komandonte rrjetin terrorist në Tulkarem dhe kishte nisur të planifikonte sulme shtesë terroriste”, pasi një pjesëtar tjetër i Hamasit, Zahi Oufi, u vra gjatë një sulmi ajror izraelit.

Brigada Ezedin al-Kasam, krahu ushtarak i Hamasit, njoftoi po ashtu për vdekjen e “komandantit dhe liderit të Batalionit të Brigadës Kasam në Tulkarem”.

Ndërkaq, Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramahall njoftoi se ishte informuar për vdekjen e Odehut, 29-vjeçar, gjatë të shtënave në lagjen Salam të Tulkaremit.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që nga sulmi i paprecedent i Hamasit ndaj Izraelit tetorin e vitit të kaluar, që nxiti luftën në Gazë.

Që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor 2023, trupat izraelite apo kolonët kanë vrarë të paktën 744 palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Ramallah.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG