Ndërlidhjet

Izraeli kryen sulme ajrore ndaj rebelëve Huthi në Jemen


Tym mbi kryeqytetin e Jemenit, Sana. (Fotografi nga arkivi)
Tym mbi kryeqytetin e Jemenit, Sana. (Fotografi nga arkivi)

Ushtria izraelite i ka bombarduar kryeqytetin e Jemenit dhe një qytet port të enjten në mëngjes, duke i vrarë të paktën nëntë njerëz, thanë zyrtarët.

Paraprakisht, rebelët Huthi e kishin sulmuar Izraelin me raketa.

Sulmet e së enjtes rrezikojnë përshkallëzimin e konfliktit me rebelët e mbështetur nga Irani, sulmet e të cilëve në korridorin e Detit të Kuq kanë ndikuar ndjeshëm në transportin global.

Kanali satelitor al-Masirah, i kontrolluar nga rebelët Huthi, raportoi se disa nga sulmet kishin si objektiv stacionet e energjisë në kryeqytet, si dhe terminalin e naftës Ras Isa në Detin e Kuq. Kanali, duke cituar e korrespondentin e tij në qytetin port Hodeida, raportoi se të paktën shtatë njerëz u vranë në portin e afërt të Salifit, ndërsa dy të tjerë u vrarë në terminalin e naftës Ras Isa.

Gjithashtu u raportua për të plagosur në portin e Hodeidas.

Ushtria izraelite nuk dha hollësi për objektivat e goditura dhe as për dëmet e shkaktuara nga bombardimet e saj

“Objektivat e goditura nga [forcat ushtarake izraelite] përdoreshin nga forcat e Huthit për qëllime ushtarake”, tha ushtria izraelite në një komunikatë.

“Sulmet dëmtojnë regjimin terrorist të Huthit, duke parandaluar që ai të shfrytëzojë objektivat për qëllime ushtarake dhe terroriste, përfshirë kontrabandën e armëve iraniane në rajon”, tha ushtria izraelite.

Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se sulmet goditën infrastrukturën energjetike dhe të portit, që ai pretendoi se rebelët “po e përdornin në mënyra që kontribuon efektivisht në veprimet e tyre ushtarake”.

“Izraeli nuk do të hezitojë të veprojë për t’i mbrojtur veten dhe qytetarët e tij nga sulmet e Huthit”, tha Hagari.

Edhe forcat amerikane i kanë bombarduar objektivat e rebelëve Huthi për gati një vit, për shkak të sulmeve që rebelët po i kryejnë ndaj anijeve tregtare në korridorin e Detit të Kuq. Të hënën, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tha se godi “një objekt kryesor komande dhe kontrolli” të operuar nga rebelët Huthi në Sana.

Rebelët Huthi kanë i sulmuar rreth 100 anije tregtare me raketa dhe dronë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës në tetor 2023, e cila nisi pas sulmit të papritur të Hamasit në jug të Izraelit, ku vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerëve.

Lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Rebelët Huthi kanë kapur një anije dhe i kanë fundosur dy të tjera në një fushatë që gjithashtu ka vrarë katër marinarë.

Rebelët pretendojnë se shënjestrojnë anije të lidhura me Izraelin, SHBA-në ose Mbretërinë e Bashkuar, për ta bërë të mundur përfundimin e luftës izraelite kundër Hamasit në Gazë. Megjithatë, shumë nga anijet e sulmuara nga ta kanë pak ose aspak lidhje me konfliktin, përfshirë disa që shkonin drejt Iranit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG