Forcat ajrore izraelite kanë çuar përpara ofensivën e tyre ajrore dhe tokësore në jug të Rripit të Gazës, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra palestinezë, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për mbrojtje të civilëve.
Të pyetura të hënën për rritjen e numrit të viktimave, prej prishjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, të premten, SHBA-ja, aleatja më e ngushtë e Izraelit, ka thënë se është shumë herët për të thënë nëse Izraeli po bën mjaftueshëm për t’i mbrojtur civilët.
Hamasi, grup palestinez që kontrollon Gazën, është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Banorët dhe gazetarët në terren, kanë thënë se sulmet ajrore izraelite në jugun e dendur me popullatë civile, kanë përfshirë edhe zonat ku Izraeli u ka kërkuar banorëve të strehohen.
Në Kombet e Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje Izraelit që të mos ndërmarrë veprime tjera që do ta përkeqësonin edhe më shumë situatën në Gazë.
“Sekretari i Përgjithshëm është jashtëzakonisht i alarmuar nga rikthimi i armiqësive në mes të Izraelit dhe Hamasit… njerëzve u është kërkuar të evakuohen, tani nuk ekziston asnjë vend i sigurt dhe shumë pak mundësi për mbijetesë”, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Izraeli e ka pushtuar gjysmën e veriut të Gazës në nëntor, dhe tani fokusin e ka në jug.
Krahu i armatosur i grupit Xhihadi Islamik, aleat i Hamasit, ka thënë se është përfshirë në luftime të ashpra me ushtarët izraelitë në veri dhe lindje të Han Junisit, qytetit kryesor në jug të Gazës.
Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake për ta shkatërruar Hamasin, si hakmarrje për sulmet e grupit më 7 tetor në jug të Izraelit.
Militantët i kanë vrarë 1.200 njerëz dhe i kanë marrë peng 240 të tjerë.
Besohet se 80 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Gazë, tashmë ka ikur prej shtëpive të tyre.
Tetë javë luftime raportohet se e kanë kthyer këtë enklavë në gërmadhë.
Autoritetet palestineze shëndetësore kanë thënë se të paktën 15.899 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në Gazë – 70 për qind e tyre gra dhe fëmijë.
Mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe besohet se kanë mbetur të vdekur nën rrënoja.
Izraeli e akuzon Hamasin se po i rrezikon civilët, duke operuar në zonat e banuara, përfshirë tunelet që mund të shkatërrohen vetëm me bomba të mëdha.
Hamasi, në anën tjetër, i hedh poshtë akuzat.