Ndërlidhjet

Izraeli zhvendos vëmendjen nga Libani dhe Hezbollahu


Shpërthim në Liban, pas një sulmi izraelit më 8 shtator 2024.
Shpërthim në Liban, pas një sulmi izraelit më 8 shtator 2024.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e ka shpallur nisjen e një “faze të re” të luftës, teksa Izraeli ka zhvendosur vëmendjen drejt frontit verior kundër Hezbollahut, grupit në Liban të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Dy valë shpërthimesh goditën Sirinë dhe Libanin: sulme që duket se janë kryer nga Izraeli dhe që kanë shënjestruar pejxherët e përdorur nga Hezbollahu. Nga shpërthimet, të martën u vranë të paktën 12 persona dhe u plagosën pothuajse 3.000 të tjerë. Ndërkaq, të mërkurën në mbarë Libanin pati shpërthime të radiolidhjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike, që lanë të vrarë të paktën 20 persona, dhe plagosën 450 të tjerë.

“Ne jemi në nisje të fazës së re të luftës. Kjo kërkon kurajë, vendosmëri dhe këmbëngulje”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, teksa u takua me ushtarë izraelitë.

Kreu i Këshillit ekzekutiv të Hezbollahut premtoi se grupi libanez do të përgjigjet ndaj shpërthimeve të pejxherëve përmes një “ndëshkimi të posaçëm”.

Hezbollahu kishte nisur sulmet ndaj Izraelit pothuajse menjëherë pasi sulmi i 7 tetorit i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – nxiti luftën me Izraelin. Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr përditë, duke rritur rrezikun për shpërthimin e një lufte në shkallë të plotë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se më shumë se 41.000 palestinezë janë vrarë që kur nisi lufta në Gazë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve të Hamasit dhe civilëve të vrarë, por ka thënë se më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG