Ndërlidhjet

Izraeli rrethon qytetin e dytë më të madh në Gazë


Sulmet izraelite në Han Junis në dhjetor të vitit 2023.
Sulmet izraelite në Han Junis në dhjetor të vitit 2023.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj kanë rrethuar Han Junisin, qytet në jug të Rripit të Gazës.

Qyteti i dytë më i madh i këtij territori ditëve të fundit është përballur me luftime të ashpra dhe dhjetëra palestinezë janë vrarë dhe plagosur.

Operacionet për rrethimin e Han Junisit, ushtria izraelite i nisi një ditë më parë.

“Gjatë ditës së kaluar, trupat e ushtrisë kanë kryer operacione të gjëra gjatë të cilave kanë rrethuar Han Junisin dhe kanë thelluar operacionet tona në zonë”, tha ushtria. “Trupat tokësore janë përfshirë në luftime të afërta, në sulme direkte, duke rezultuar në eliminimin e dhjetëra terroristëve”, u tha në njoftim.

Zyrtarët izraelitë thanë se liderë kryesorë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – mund të jenë duke u fshehur në tunelet e qytetit.

Në njoftimin për rrethimin e Han Junisit, ushtria izraelite nuk dha dëshmi për vrasjen e pretenduar të luftëtarëve të Hamasit dhe detajet e luftimeve në atë zonë nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Han Junisi është vendlindja e Yehya Sinwar, një lider i lartë i Hamasit në Gazë, vendndodhja e të cilit është e panjohur.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi. Megjithatë, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy e treta e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG