Dhjetëra persona janë plagosur në qytetin Ramallah, në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi forcat izraelite kryen një bastisje. Ushtria izraelite tha se operacioni kishte për qëllim rrëzimin e një shtëpie të një palestinezi, që akuzohet për sulm me bombë vitin e kaluar.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 35 persona janë plagosur, përfshirë të paktën 20 persona të plagosur me armë zjarri. Sipas kësaj ministrie, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda, ndërkaq një tjetër është plagosur në kokë me plumb gome.
Sipas Reuters, një autokolonë e madhe ushtarake hyri në qendër të Ramallahut, ku gjendet qeveria palestineze në Bregun e pushtuar Perëndimor, dhe më pas qindra palestinezë u mblodhën në atë zonë.
Disa palestinezë të rinj hodhën gurë drejt ushtarëve izraelitë, të cilët u përgjigjën ndaj turmës me të shtëna me armë zjarri, shok-bomba dhe granata dore, sipas Reuters.
Ushtria izraelite tha se ushtarët u konfrontuan me turmën të cilët hodhën në drejtim të tyre koktej molotovi dhe gurë, dhe si kundërpërgjigje ushtarët nisën të shtinin drejt tyre. Një gazetar palestinez është lënduar pasi është goditur nga një plumb gome dhe ky incident është duke u hetuar nga autoritetet.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj kryen një operacion për të rrënuar shtëpinë e Islam Faroukh, i cili u arrestua vitin e kaluar nën dyshimet se ka kryer një sulm vdekjeprurës me bombë në Jerusalem.
Sulmi që ndodhi nëntorin e kaluar la të vrarë dy persona, përfshirë një adoleshent izraelito-kanadez, si dhe u plagosën 14 të tjerë. Autoritetet thanë atëbotë se sulmuesi kishte vendosur bomba artizanale në disa stacione autobusi dhe i kishte aktivizuar njëkohësisht.
Izraeli në mënyrë rutinore shkatërron shtëpitë e personave që dyshohet se kanë kryer sulm, por kritikët e kanë dënuar këtë praktikë, që është joligjore sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Dhuna në Bregun Perëndimor, përgjatë territoreve ku palestinezët kërkojnë të krijojnë shtetin e tyre, është rritur që nga viti i kaluar. Izraeli ka intensifikuar bastisjet ushtarake pas sulmeve vdekjeprurëse që janë kryer në qytete të ndryshme nga palestinezët.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se të paktën 158 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga janari. Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se 20 izraelitë dhe dy shtetas të huaj janë vrarë gjatë sulmeve palestineze në po të njëjtën periudhë.