Ndërlidhjet

Forcat izraelite bastisin spitalin kryesor në jug të Gazës


Forcat izraelite në Rripin e Gazës më 21 janar 2024.
Forcat izraelite në Rripin e Gazës më 21 janar 2024.

Forcat izraelite kanë hyrë në spitalin kryesor në jug të Gazës të enjten, më 15 shkurt, disa orë pasi zjarri izraelit vrau një pacient dhe plagosi gjashtë të tjerë që gjendeshin brenda kompleksit spitalor. Ushtria izraelite tha se ishte një operacion i kufizuar që synonte gjetjen e pengjeve të marra nga Hamasi.

Hamasi është grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Bastisja në spital ndodhi një ditë pasi ushtria izraelite tentoi të evakuonte mijëra persona të zhvendosur që kanë gjetur strehim në spitalin Nasser në Han Junis. Ky qytet jugor i Gazës javët e fundit ka qenë caku kryesor i ofensivës izraelite kundër Hamasit.

Ushtria tha se kishte “inteligjencë të besueshme” se Hamasi po mbante pengje në spital dhe se brenda këtij objekti mund të ketë edhe mbetje trupore të pengjeve.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se forcat po kryejnë operacion “preciz dhe të kufizuar”, duke shtuar se nuk do të ketë evakuim me forcë të mjekëve apo pacientëve.

Izraeli e akuzon Hamasin se përdor spitalet dhe infrastrukturat e tjera civile për të mbrojtur luftëtarët e tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, Ashraf al-Qidra, tha se Izraeli ka kryer “një inkursion masiv” me të shtëna masive që kanë plagosur shumë persona që po strehoheshin në këtë spital. Ai tha se ushtria izraelite ka urdhëruar mjekët të zhvendosin në një ndërtesë tjetër të gjithë pacientët, por ky objekt, sipas tij, nuk ishte i pajisur për trajtimin e pacientëve.

“Shumë nuk mund të evakuohen, sikurse pacientët që kanë gjymtyrë të amputuara, kanë djegie të shkallës së lartë apo janë në moshë të shtyrë”, tha ai gjatë një interviste për rrjetin Al Jazeera.

Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Izraeli është kundërpërgjigjur me ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazë, që deri më tani kanë lënë të vrarë mbi 28.000 palestinezë.

Izraeli së fundi po ashtu ka paralajmëruar se do të zhvendosë ofensivën e saj në qytezën Rafah, në kufi me Egjiptin, ku shumica e popullsisë së Gazës është zhvendosur për shkak të luftimeve në pjesën tjetër të këtij territorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG